“Bord kombëtar për të informuar qytetarët” – Rama: Duhet ta krijojmë që të sigurojmë informacion të saktë
Kryeministri Edi Rama i pranishëm në konferencën e gjashtë kombëtare “Për të drejtën për informim” gjatë fjalës së tij përgëzoi progresin e Shqipërisë përsa i përket anës ligjore.
“Shqipëria ishte e 86 në klasifikim deri kur në 2014, ne hedhim hapin e parë serioz duke transformuar bazën tonë ligjore dhe sot nëse e klikoni Shqipërinë do ta gjeni në vendin e shtatë, për sa i përket legjislacionit”
Por sipas kryeministrit Edi Rama, tashmë ka ardhur koha për të krijuar një bord kombëtar për t’ju siguruar qytetarëve informacion të saktë.
“Është koha që ne të krijojmë një bord Kombëtar, apo Komitet, po këtë fjalën e kam pak si problem, por edhe për shkak të faktit se kam parë në eksperiencën time që krijohen për të mos zgjidhur probleme dhe kam pare vetë, do të mos zgjidhësh një problem, krijo një Komitet. Me pjesëmarrjen e qeverisë, pushtetit vendor, ku është shumë problematik, me komisionerin, me avokatin e popullit dhe me të tjera institucione dhe Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit, për Dialog dhe Bashkëqeverisje, për të pasur një plan të përbashkët pune, jo për gjë tjetër, për të monitoruar bashkërisht të gjithë këtë proces transparencë e dhe sigurimit të të drejtës së informimit sepse në fund të ditës është e qartë që në pjesën më të madhe problemi është se nuk ka vullnet për informacion, por se nuk ka një vetëdije për të drejtën e informimit në kohë reale dhe kjo gërryen besimin e qytetarëve, hap shtresën e dezinformim, apo keq informimit dhe kjo shkel një të drejtë që është e sanksionuar me ligj e publikut dhe çdo individ dhe që s’ka asnjë arsye në botë për ta shkelur, sepse nuk bëhet fjalë për krijuar një produkt, por për ta ekspozuar produktin që krijohet, çdo vendim qeverie, çdo marrëveshje kontraktuale që nuk është sekret hetimor, duhet të jetë publike dhe ambicia jonë duhet të jetë që në fund të këtij viti të kemi një përmbysje të të gjithë përmbajtjes jo të kënaqshme për të dhënat për aksesin e publikut në informim dhe për garantimin e të drejtës së informimit”
Sipas Komisionerit të Mbrojtjes së të dhënave, Besnik Dervishit gjatë një viti dërgohen rreth 12 mijë kërkesa për informacion, nga ku zyra e komisionerit ka trajtuar rreth 7300 ankesa.
“Gjatë një viti ashtu sic informohet nga autoritetet publike, dërgjohen rreth 12 mijë kërkesa për informacion. Zyra e komisionerit ka trajtuar rreth 7300 ankesa, nga ku trajtohen rreth 1000 ankesa në vit.”
“Gjatë trajtimit të ankesave është ngritur si shqetësim dhe konstatohen vonesa të shkaktuara nga ana e drejtuesve të lartë, e cila sjell shkelje të drejtës për informim.”
Diamila Leka/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.