Borxhi i fshehur i Gjermanisë – Deficiti është dyfish më i lartë se ai i deklaruar!
Kanë kaluar vetëm tre muaj që kur Christian Lindner, ministri gjerman i Financave, paralajmëroi gjatë Këshillit ‘Ecofin’ në Luksemburg se nëse synohet të mbahet euro dhe tregu i përbashkët i qëndrueshëm dhe të ruhet konkurrenca, atëherë duhen rregulla fiskale që stabilizohen financat publike. Prandaj analistët shprehen pa doreza se është turp që ato llogari publike, pikërisht në Gjermani, po luhaten, pikërisht tani që Berlini, në prag të diskutimit për Paktin e Stabilitetit dhe Rritjes, po përgatitet të jetë lideri i padiskutueshëm i zbatimit të rregullave.
Akuza vjen nga Gjykata Gjermane e Auditit, sipas së cilës qeveria e Olaf Scholz ka fshehur kushtet reale financiare të vendit duke transferuar angazhime financiare shumëvjeçare në mjete të veçanta financiare, pra brenda kompanive të krijuara me qëllimin e saktë të rishpërndarjes së një mase kreditesh midis një game të gjerë investitorësh. Një lëvizje në kontrast total me rregullat europiane, sipas gjykatës së auditimit, e cila thotë se këto fonde duhet të llogariten në financat publike dhe se, për momentin, ato po grumbullojnë shumën masive prej 869 miliardë eurosh.
Me kalimin e kohës, në fakt, qeveria e udhëhequr nga kancelari Scholz ka tërhequr gjithnjë e më shumë fonde jashtë buxhetit federal, duke përfshirë një fond të posaçëm për të forcuar Forcat e Armatosura me 100 miliardë, 60 miliardë për të arritur objektivat klimatike dhe 200 miliardë për rikonvertimin e energjisë. Vetë Forcat e Armatosura janë në qendër të kritikave. I krijuar vitin e kaluar për t’u marrë me emergjencën në Ukrainë dhe për të arritur objektivin e NATO-s për të shpenzuar të paktën 2% të prodhimit ekonomik për mbrojtjen duke filluar nga viti 2024, fondi grumbullon 100 miliard eurosh dhe duhet të përdoret vetëm për blerjen e armatimeve dhe materialeve ushtarake. Dhe duket se nuk ka shkuar kështu, duke qenë se gjykata e auditimit kundërshton planin e qeverisë për të zgjeruar përdorimin e synuar, duke e përcaktuar masën si “shkelje të ligjit” dhe, për rrjedhojë, “të papranueshme”.
Një lëvizje, ajo e Berlinit, e cila nuk kaloi pa u vënë re në Bruksel. Në vazhdën e asaj që është specifikuar tashmë nga Gjykata Gjermane e Audituesve, një zëdhënës i Komisionit Europian nënvizoi se vendet anëtare të BE-së nuk lejohen të përjashtojnë “ndonjë shpenzim të veçantë” nga deficiti publik duke përdorur “fondet speciale”. “Është një koncept statistikor – vazhdoi ai – i llogaritur nga autoritetet statistikore kombëtare dhe evropiane, në përputhje me një metodologji të rënë dakord nga të gjithë, e njohur si ESA 2010 në përputhje me këtë metodologji dhe për qëllimet tona. Pra, nuk është e mundur që asnjë shtet anëtar të përjashtojë ndonjë shpenzim të veçantë nga deficiti duke përdorur metoda ‘ad hoc’, për shembull nëpërmjet përdorimit të fondeve të veçanta, përfundoi ai.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.