BQE do të rrisë më tej normat e interesit – Skenari ekonomik për vendet e BE po përkeqësohet
Banka Qendrore Europiane konfirmoi strategjinë e saj në buletinin ekonomik: normat e interesit do të rriten sërish në mbledhjen e rradhës, ndërkohë që perspektivat ekonomike janë të errëta, sidomos ato afatshkurtra.
Normalizimi i politikës monetare, do të vazhdojë në mbledhjen e muajit shtator, duke sugjeruar rritje të tjera të kostos së financimit në Eurozonë, pas befasisë me 50 pikë bazë më shumë në korrik.
E përforcuar nga qasja graduale dhe vëzhgimi i kujdesshëm i të dhënave, Banka Qendrore Europiane do të vazhdojë strategjinë e saj kundër inflacionit, megjithëse nuk e ka parashikuar masën e rritjes.
Buletini ekonomik i Bankës Qendrore Europiane paralajmëroi gjithashtu për ngadalësim të rritjes ekonomike dhe çmime ende të larta, me luftën në Ukrainë që i bën të gjitha vlerësimet të zymta.
Zbutja e pjesshme e pengesave dhe kostot më të larta për kompanitë po mjegullojnë vlerësimet ekonomike për gjysmën e dytë të 2022.
Inflacioni është ende i lartë dhe po përhapet në një spektër gjithnjë e më të gjerë sektorësh. Për më tepër, rreziqet për perspektivën afatmesme të inflacionit përfshijnë një përkeqësim të vazhdueshëm të kapacitetit prodhues të ekonomisë, çmime të vazhdueshme të larta të energjisë dhe ushqimeve dhe pritshmëri për inflacionin mbi objektivin e Këshillit Drejtues dhe rritje më të larta të pagave.
Në kuadër të këtyre parashikimeve janë edhe rezultatet e vëzhgimit të BQE-së për pritshmëritë e çmimeve të konsumit: inflacioni i perceptuar nga konsumatorët në 12 muajt e fundit është rritur ndjeshëm, në 7.2% nga 6.6% në maj.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.