Çfarë importuam më shumë në periudhë krize? Ndërtimi nuk njeh stepje, u blenë mbi 50 miliardë lekë mallra!
Konflikti Rusi-Ukrainë i nisur në fund të muajit Shkurt, solli trazira të mëdha në tregjet ndërkombëtare dhe gjeografinë e importeve për shkak se një pjesë e mirë e produkteve bliheshin nga këto dy shtete. Por çfarë kemi importuar më shumë gjatë krizës, që i takon kryesisht periudhës Mars-Maj? Referuar të dhënave të doganave për tregtinë e jashtme në 5 mujorin e parë të vitit të përpunuara nga SCAN TV, vihet re se ndërtimi është ai që nuk e ka njohur krizën .
Nëse flasim për volum importesh, materialet e ndërtimit si hekur, çelik, gëlqere, çimento, dhe nënprodukte të tjera, zënë pjesën më të madhe. Në disa prej zërava vihet një tkurrje e lehtë importesh në volum në raport me 2021-shin, por në krahasim me vitet e mëparshme rritja është shumë e ndjeshme.
Kompanitë e ndërtimit kanë importuar mbi 50 miliardë lekë materiale për këtë sektor në vetëm 5 muaj. Ndërkohë që volum të lartë zënë gjithashtu lëndë të djegshme minerale, vajra minerale dhe produkte të distiluara si dhe materialet e drurit.
Ndërkohë që sa i takon drithrave, në 5 muaj janë importuar 105 mijë ton, dhe në krahasim më nje vit më parë ka një rënie prej 3 mijë ton, ndërsa në raport me vitet e mëparshme rënia është shumë e lartë. E përkthyer në vlerë, përgjatë kësaj periudha nga jashtë kufinjve janë blerë 5.2 miliardë lekë drithra.
Në total në 5 muaj në vendin tonë janë importuar afro 2.2 milionë ton mallra me vlerë rreth 365 miliardë lekë. Vlera e importeve ka ardhur në rritje progresive nga viti në vit, ku krahasuar me 20121-shin, regjistrohet në 77 miliardë lekë më shumë. Italia, Greqia, Turqia, Kina dhe Gjermania janë partnerët kryesorë.
Elisabeta Dosku / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.