Çmime rekord energjie – Bursa, tendencë në rritje. KESH, pa kontrata afatgjata për blerjen e energjisë
Pas 2 ditësh me tendencë në rënie, çmimet energjisë ne bursën e Hungarisë i janë rikthyer rritjes të hënë, duke shënuar vlera rekord për muajin gusht, me një mesatare prej 731.05 euro/mwh. Ky është çmimi më i lartë për këtë muaj, që gjithsesi u karakterizua nga çmime tejet të larta në raport me muajt e mëparshëm.
Bursa Hungareze shërben si referencë për transaksionet në Shqipëri, teksa tendeca në rritje prek drejtpërdrejt uxhetin e Korporatës Elektorenergjetike Shqiptare, duke qenë se blerjet kryhen me baza ditore ose javore. Kjo për shkak të mungesë së kontratave afatgjata, që mund të ishin arritur në periudha kur çmimet ishin më të favorshme, ndonëse kjo ishte një nga pikat kryesore të vendimit të qeverisë, që u miratua në tetor të vitit të kaluar në kuadër të emergjencës së furnizimit me energji të shpallur nga Këshilli i Ministrave e që synonte përballimin e situatës.
Ndërkaq, rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare ka detyruar KESH të anulojë blerjet e parashikuara, duke synuar plotësimin e nevojave konsumatore nga prodhimi vendas. Transaksioni i vetëm i kryer së fundmi është një procedurë optimizimi, ku një sasi e vogël energjise është blerë e më pas është shitur me çmim më të lartë.
Paralelisht, situata në Kaskadën e Drinit nuk paraqitet optimale, duke qenë se sipas të dhënave zyrtare niveli në liqenin e Fierzës është nën mesataren historike në 6 mujat e parë të vitit. Teksa, edhe gjatë gushtit tendenca është në rënie, duke qenë se në datën 22 gusht niveli i Fierzës ishte 275.67 m, nga 281.48 m që ishtë ne fillim të këtij muaji.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.