Çmimet i rikthehen rritjes në Nëntor – Inflacioni, arrin 3.9%. Zarzavatet vijojnë me rritje dyshifrore
Të dhënat nga “Instituti i Statistikave” tregojnë se në muajin Nëntor të këtij viti norma e rritjes së çmimeve është regjistuar në 3.9%, ndërkohë që norma e inflacionit gjatë Tetorit ishte pranë 3.8%.
Ndërkohë që norma e inflacionit gjatë Tetorit ishte pranë 3.8%, të dhënat nga “Instituti i Statistikave” tregojnë se në muajin Nëntor të këtij viti norma e rritjes së çmimeve është regjistuar në 3.9%. Megjithatë, kjo normë është ndjeshëm më e ulët se një vit më parë kur ndyshimi i çmimeve të konsumit ishte në nivelin 7.9%. Edhe pse krahasuar me një vit më parë rritja e përgjithshme e çmimeve është ngadalësuar, shifrat bëjnë me dije se çmimet e ushqimeve vijojnë të jenë në nivele të larta dhe përpos kësaj kanë dhënë kontributin kryesor në nivelin e inflacionit pranë 3.9% në muajin Nëntor.
Pra, rritja vjetore e çmimeve në muajin Nëntor është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2.52 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0.37 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0.36 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” ndikuan me 0.19 pikë përqindje. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me 0.17 pikë përqindje. Sipas të dhënave kontibut negativ ka dhënë vetëm grupi i transportit me 0.25 pikë.
Krahasuar me muajin Nëntor të vitit të kaluar, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 7.1%, pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” me 6.0%, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 4.8%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 4.3% dhe “Pije alkoolike dhe duhan” me 3.5%. Me rritje gjithashtu u regjistruan çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” me 2.9%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 2.8%, “Shërbimi arsimor” me 2.6%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1.9%, “Shëndeti” me 1.0% dhe “Komunikimi” me 0.5%. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” shënuan ulje me 4.0%.
Ajo që vihet re nga shifrat janë çmimet e zarzavateve që vijojnë akoma të rriten me ritme dyshifrore. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 21.2%, pasuar nga nëngrupet “fruta” me 9.3%, “qumësht, djathë dhe vezë” me 8.3%, “mish” me 7.1%, “peshk” me 2.7%, “sheqer, recel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 2.6%.
Krahasuar me muajin Tetor të vitit 2023, çmimet ranë me 0.2% sipas të dhënave të INSTAT. Rënien më të madhe e patën çmimet e grupit çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” me 0.9%, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0.4%.
Xhorxhina Deda/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.