Dollari stabilizohet në sesionin e sotëm – Inflacioni i lartë në SHBA do të detyrojë FED të rrisë interesat
Dollari amerikan po shfaqet i qëndrueshëm në sesionin e fundit të kësaj jave, pas një ditë të paqëndrueshme të enjten. Të dhënat mbi inflacionin në SHBA, që rezultuan mbi parashikimet e analistëve, sugjerojnë se Rezerva Federale do të rrisë sërish normat e interesit në takimin e këtij muaji. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan po qëndron në mbi 112 dhe ka humbur rreth 0.5% të vlerës.
Në sesionin e kaluar, indekset kryesore në Wall Street bënë një ringritje dramatike, ndërsa në fillim të tregtisë u karakterizuan nga një shitje masive. Tashmë, fokusi i investitorëve do të jetë te takimi i Rezervës Federale, ndërsa shumica e investitorëve parashikojnë një rritje të normës bazë të interesit me 75 pikë bazë.
Në raport me jenin japonez, dollari amerikan po qëndron në mbi 147, niveli më i lartë në 32 vitet e fundit. Në këtë situatë, autoritetet në Japoni mund të detyrohen të ndërhyjnë në treg, për të stabilizuar monedhën vendase. Muajin e kaluar, Japonia ndërhyri në treg due blerë jen, për herë të parë që nga viti 1998.
Ndërkohë, paundi britanik po tregtohet në mbi 1.13 dollarë dhe është mbështetur nga lajmet se qeveria e re në Britani mund të rishikojë planin e uljes së taksave dhe incentivave për investime. Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin po tregtohet në rreth 19,800 dollarë, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1320 dollarë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.