Dollari zgjeron fitimet – Në fokus, Banka e Anglisë dhe inflacioni në SHBA
Dollari amerikan është forcuar lehtë edhe në sesionin e sotëm, ndërsa investitorët po presin të dhënat mbi inflacionin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe përfundimin e programit të blerjes së obligacioneve nga Banka e Anglisë. Ndërkohë, gjatë tregtisë aziatike jeni japonez vijoi zhvlerësimin drejt 147 përballë dollarit amerikan, niveli më i ulët që nga gushti i vitit 1998.
Analistët mendojnë se tashmë monedha japoneze e ka humbur statusin e një parajse të sigurtë në përiudha trazirash. Ndërkohë, paundi britanik është stabilizuar pranë 1.11 dollarëve, pas një sesioni të luhatur një ditë më parë.
Monedha britanike u rrit me rreth 1.25% një ditë më parë, pasi Financial Times raportoi se Banka e Anglisë kishte sinjalizuar përpara huadhënësve privatë se është e përgatitur për ta shtyrë përtej 14 tetorit programin e blerjes së obligacioneve, nëse kushtet e tregun nuk do të jenë të qëndrueshme.
Njëkohësisht, edhe qeveria e re në Britani deklaroi se nuk do të rishikojë planin për reduktimin e taksave apo shpenzimet publike, një plan që tronditi tregjet financiare në vend, sidomos industrinë e pensioneve. Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin po tregtohet në rreth 19 mijë dollarë, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1280 dollarë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.