Eksodi i tregut të punës në Britani – Ul normën e papunësisë në 3.5% në muajin gusht
Shkalla e papunësisë në Britani ra në nivelin më të ulët që nga viti 1974 në 3.5%, e nxitur nga një rritje rekord në numrin e personave që largoheshin nga tregu i punës. Numri i personave të klasifikuar si joaktivë, u rrit me 252,000 deri në maj, rritja më e madhe që nga fillimi i regjistrimeve në 1971, tha Zyra për Statistikat Kombëtare.
Banka e Anglisë, e cila po përpiqet të frenojë trazirat e tregut financiar të shkaktuar nga shkurtimet e pafinancuara të taksave të kryeministres së re Liz Truss dhe premtimet e saj për t’i dhënë fund stanjacionit të ekonomisë, është e shqetësuar se tkurrja e tregut të punës do të nxisë presionet inflacioniste.
Banka e Anglisë ka rritur normat e interesit nga 0.1% dhjetorin e kaluar në nivelin aktual prej 2.25%. Investitorët mendojnë për për një rritje me 1 pikë përqindje të normës së interesit më 3 nëntor.
Ekonomistët e anketuar nga Reuters kishin pritur që shkalla e papunësisë të qëndronte në 3.6%. Numri i personave të punësuar ra me 109,000 në periudhën qershor-gusht, më pak se një parashikim mesatar për një rënie prej 155,000 në sondazhin e Reuters.
Pagat pa përfshirë bonuset u rritën me 5.4%, norma e tyre më e lartë e rritjes që nga tre muajt deri në gusht 2021. Sondazhi i Reuters kishte treguar për një rritje pak më të vogël prej 5.3%.
Duke përfshirë bonuset, pagat u rritën me 6%, pak më shumë se parashikimi i sondazhit prej 5.9%. Por, pagat po rriten shumë më pak se inflacioni, që arriti në gati 10% në të dhënat më të fundit.
Numri i vendeve të lira të punës në periudhën korrik-shtator ra në 1.246 milionë, më i ulëti që nga fundi i vitit 2021, por ende i lartë sipas standardeve historike, duke nënvizuar problemet me të cilat përballen shumë punëdhënës.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.