Rajoni Postuar më 16 Korrik 2026, 11:08

Maqedonia e Veriut, në Korridorin Vertikal të gazit - Synohet furnizim i sigurt, i diversifikuar dhe konkurrues

Nga Dorian Koça

Maqedonia e Veriut, në Korridorin Vertikal të gazit - Synohet furnizim

Maqedonia e Veriut pritet t’i bashkohet Korridorit Vertikal të Gazit, një nga nismat më të rëndësishme evropiane për diversifikimin e furnizimit me gaz natyror dhe forcimin e stabilitetit energjetik në Evropën Juglindore, Qendrore dhe Lindore.

Vendimi u konfirmua në takimin e operatorëve të sistemeve të transmetimit të gazit, i mbajtur në Athinë, ku u dakordua anëtarësimi i NOMAGAS-it në këtë kornizë rajonale të bashkëpunimit. Përveç vendeve që tashmë janë pjesë e kësaj nisme – Greqia, Bullgaria, Rumania, Moldavia, Ukraina, Sllovakia dhe Hungaria – në procesin e anëtarësimit janë edhe Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Për Ministrinë e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, kjo paraqet një hap të rëndësishëm në realizimin e objektivit strategjik, që Maqedonia e Veriut të bëhet pjesë aktive e rrjetit energjetik evropian, me furnizim të sigurt, të diversifikuar dhe konkurrues me gaz natyror.

Anëtarësimi në Korridorin Vertikal të Gazit nuk nënkupton ndërtimin e një gazsjellësi të vetëm të ri, por integrimin në një rrjet të koordinuar evropian të gazsjellësve kombëtarë, interkonektorëve dhe terminaleve, përmes të cilëve gazi natyror do të mund të transportohet në disa drejtime, nga jugu drejt veriut të Evropës.

Kjo nismë lidhet drejtpërdrejt me projektet kapitale të infrastrukturës që po zbatohen, ndërtimin e interkonektorit me Greqinë, i cili pritet të vihet në funksion gjatë vitit 2027, si dhe përgatitjet për interkonektorin me Serbinë. Me realizimin e këtyre projekteve, Maqedonia e Veriut për herë të parë do të ketë mundësi të sigurojë qasje në më shumë burime të gazit natyror, përfshirë edhe gazin natyror të lëngshëm.

Anëtarësimi formal në këtë nismë pritet të bëhet në shtator në Selanik, kur edhe zyrtarisht do të nënshkruhet deklarata për aderimin në kuadrin e bashkëpunimit të Korridorit Vertikal të Gazit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat