Shqipëria Postuar më 30 Qershor 2026, 15:11

DPSHTRR promovon platformën eTransport - Bajraktari fushatë informuese në pikat hyrëse të vendit

Nga SCAN TV

DPSHTRR promovon platformën eTransport - Bajraktari fushatë informuese

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) ka nisur një fushatë informuese për promovimin e platformës digjitale eTransport, me synim lehtësimin e aksesit të qytetarëve dhe turistëve në informacionin mbi transportin publik interurban gjatë sezonit veror.

Drejtori i Përgjithshëm i DPSHTRR-së, Kreshnik Bajraktari, së bashku me ekipet e institucionit, zhvilloi takime informuese në pikat kryesore hyrëse të vendit, ku prezantoi funksionalitetet dhe përfitimet që ofron platforma.

Fushata nisi në Portin e Durrësit, një nga pikat me fluksin më të lartë të udhëtarëve gjatë verës, dhe vijoi në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, si edhe në Portin e Vlorës dhe Portin e Sarandës.

Gjatë takimeve me qytetarë, turistë dhe operatorë të transportit, Bajraktari u njoh nga afër me eksperiencat dhe sugjerimet e përdoruesve, të cilat, sipas DPSHTRR-së, do të shërbejnë për përmirësimin e mëtejshëm të platformës.

“Qëllimi ynë është që qytetarët dhe vizitorët të kenë informacion të shpejtë, të saktë dhe lehtësisht të aksesueshëm për transportin publik interurban, duke e bërë udhëtimin sa më të thjeshtë dhe efikas”, theksoi Bajraktari.

Sipas DPSHTRR-së, fushata informuese do të vijojë përgjatë gjithë sezonit turistik, me ekipet që do të jenë të pranishme edhe në sitet më të frekuentuara kulturore dhe turistike të vendit për të promovuar përdorimin e platformës eTransport.

Përmes kësaj nisme, institucioni synon të forcojë komunikimin me përdoruesit dhe të përmirësojë vazhdimisht shërbimet, duke ofruar një eksperiencë udhëtimi më të informuar dhe më cilësore për qytetarët dhe vizitorët.

Shqipëria 30 Qershor Edel Strazimiri

Kursi i këmbimit/ Rritje e lehtë në tregun valutor

Dollari amerikan ka regjistruar mëngjesin e sotëm një rritje të lehtë të kuotës në raport me një ditë më parë pasi është blerë këtë të martë me 82 lekë dhe......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat