Shqipëria Postuar më 6 Korrik 2026, 15:36

Menaxhimi i sezonit turistik, Karakaçi: Nënstacioni i ri në Piqeras rrit sigurinë e furnizimit me energji në jug

Nga Edel Strazimiri

Menaxhimi i sezonit turistik, Karakaçi: Nënstacioni i ri në

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi se nënstacioni i ri elektrik që po ndërtohet në Bunec, pranë Piqerasit, do të përmirësojë ndjeshëm sigurinë dhe cilësinë e furnizimit me energji elektrike për zonën bregdetare të jugut.

Gjatë inspektimit të punimeve, së bashku me administratorin e OSSH-së, Blendian Dalipi, Karakaçi theksoi se investimi është përgjigje ndaj rritjes së kërkesës për energji në një zonë që ka njohur zhvillim të shpejtë turistik.

“Kemi hyrë pothuajse në pikun e sezonit turistik. Në fund të qershorit kemi pasur ngarkesë më të lartë se në pikun e muajit gusht të vitit të kaluar. Kjo do të thotë se kërkesa për energji po rritet dhe presim ngarkesa edhe më të larta gjatë fundjavëve dhe në muajin gusht,” u shpreh Karakaçi.

Ministri bëri të ditur se OSHEE dhe Operatori i Sistemit të Shpërndarjes kanë hartuar një plan masash për përballimin e sezonit veror.

“OSHEE-ja dhe Operatori i Sistemit të Shpërndarjes kanë ndërtuar një plan masash dhe të gjithë punonjësit tashmë janë në gatishmëri”, tha ai, duke theksuar se grupet e punës janë shtuar për të garantuar ndërhyrje të shpejtë dhe furnizim pa ndërprerje.

Administratori i OSSH-së, Blendian Dalipi, vlerësoi rëndësinë strategjike të investimit, duke theksuar se nënstacioni i ri nuk do të shërbejë vetëm për rritjen e kapaciteteve.

“Ky nënstacion ka një vlerë të shtuar, jo vetëm për sigurinë e furnizimit, por edhe për mbylljen e unazës së fidrave që vijnë nga nënstacionet e Sarandës dhe Himarës. Ai garanton furnizimin për Piqerasin, Borshin, Shën Vasilin, si dhe u jep siguri edhe zonave të Qeparoit, Qafë Gjashtës dhe Sarandës,” tha Dalipi.

Nënstacioni i ri pritet të përfundojë dhe të vihet në funksion përpara nisjes së sezonit turistik veror të vitit të ardhshëm. Ai do të ketë kapacitet disa herë më të madh se ai ekzistues dhe do të pajiset me teknologji moderne, ndërsa gjatë punimeve furnizimi me energji po garantohet përmes një nënstacioni provizor.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat