Shqipëria Postuar më 6 Korrik 2026, 12:58

Çfarë janë dëftesat tregtare bujqësore? - Guri: Mund të vendoset kolateral produkti i magazinuar ose në proces

Nga Fabjona Pasho

Çfarë janë dëftesat tregtare bujqësore? - Guri: Mund

Fermerët do të mund të përdorin produktet bujqësore, ende të pakorrura ose të magazinuara, si kolateral për të marrë financim.

Projektligji për dëftesat tregtare mbi produktet bujqësore u shqyrtua në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, ku zëvendësministri i Bujqësisë, Fatmir Guri, sqaroi se nisma synon të formalizojë marrëdhëniet që sot ekzistojnë në praktikë mes fermerëve dhe subjekteve që i financojnë apo i mbështesin ata. Dëftesa tregtare pritet të lëshohet online përmes e-Albania, të regjistrohet elektronikisht dhe të ketë fuqinë e titullit ekzekutiv.

Ligji parashikon dy instrumente kryesore. I pari është dëftesa tregtare mbi produktin bujqësor të ardhshëm. Kjo lidhet me momentin kur produkti ende nuk është korrur apo prodhuar, por ekziston një çmim real i prodhimit. Fermeri mund të përdorë produktin që pritet të realizohet si bazë për një financim, për të marrë inpute apo mbështetje tjetër ekonomike.

Instrumenti i dytë lidhet me produktet bujqësore të magazinuara. Në këtë rast, produkti i prodhuar dhe i depozituar në magazinë mund të përdoret si kolateral për financim, duke i dhënë fermerit më shumë mundësi të mos e shesë menjëherë prodhimin, sidomos në periudha kur tregu nuk ofron çmim të favorshëm,” tha Guri.

Ndërkaq, në komision u shqyrtua edhe projektligji për ratifikimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Gjermanisë për bashkëpunim teknik 2025. Zëvendësministrja e Bujqësisë, Tana Kika, u ndal te modernizimi i kontrollit zyrtar, forcimi i kapaciteteve laboratorike dhe ngritja e sistemeve të inspektimit mbi bazë risku.

“Do të modernizohen procedurat e kontrollit zyrtar, do të forcohen kapacitetet laboratorike, do të zhvillohen sisteme moderne të inspektimit të bazuara në analizën e rrezikut. Do të trajnohen inspektorë, veterinerë, specialistë të laboratorit, administrata publike sipas praktikave më të mira të vendeve anëtare. Një nga projektet më të rëndësishme është investimi infrastrukturor i mbështetur nga Banka Botërore, që parashikon ndërtimin e shtatë laboratorëve. Njëri prej tyre do të jetë në qarkun e Fierit dhe do të pajiset sipas standardeve europiane, përfshirë edhe kontrollin e pesticideve”, tha Kika.

Të dyja nismat lidhen me përpjekjet për të forcuar sektorin bujqësor, nga njëra anë përmes aksesit më të lehtë në financim për fermerët dhe nga ana tjetër përmes rritjes së sigurisë ushqimore dhe përafrimit me standardet europiane.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat