Shqipëria Postuar më 6 Korrik 2026, 11:18

Rregulla të reja për financat e shtetit - Projektligji për kontabilitetin publik ndryshon raportimin financiar të institucioneve

Nga Ledina Elezi

Rregulla të reja për financat e shtetit - Projektligji për

Raportimi financiar i të gjitha institucioneve publike pritet të ndryshojë rrënjësisht. Pasqyrat financiare do të hartohen sipas standardeve ndërkombëtare, do të publikohen për të rritur transparencën dhe, për herë të parë, i gjithë sistemi i kontabilitetit publik do të mbështetet në një ligj të posaçëm dhe jo vetëm në udhëzime të Ministrisë së Financave. Këto janë ndryshimet që parashikon projektligji i ri "Për kontabilitetin në sektorin publik", i cili synon të unifikojë mënyrën se si administrata publike regjistron, administron dhe raporton përdorimin e fondeve publike.

Një nga risitë më të rëndësishme është përafrimi i sistemit shqiptar me Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit për Sektorin Publik. Kjo pritet të sjellë raportim më të besueshëm, më të krahasueshëm dhe më transparent për mënyrën se si administrohen fondet publike.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është kalimi gradual nga sistemi aktual drejt kontabilitetit mbi bazën e të drejtave dhe detyrimeve të konstatuara. Kjo do të thotë se transaksionet financiare do të regjistrohen në momentin kur krijohen detyrimet apo të drejtat financiare dhe jo vetëm kur kryhen pagesat ose arkëtimet. Sipas projektligjit, ky tranzicion do të realizohet brenda tre viteve nga hyrja në fuqi e ligjit.

Ndërkohë, për herë të parë do të hartohen edhe pasqyra financiare të konsoliduara për institucionet publike, duke krijuar një panoramë më të plotë të gjendjes financiare të administratës. Pas miratimit, këto pasqyra do të publikohen në faqet zyrtare të institucioneve, brenda gjashtë muajve nga përfundimi i vitit financiar.

Projektligji forcon edhe përgjegjësinë e administratës. Institucionet do të jenë të detyruara të kryejnë inventarizimin periodik të aktiveve dhe detyrimeve, të ruajnë dokumentacionin financiar për të paktën dhjetë vjet dhe të sigurojnë dokumentacion të plotë për çdo regjistrim kontabël. Në rast shkeljesh, si mosdorëzimi në afat i pasqyrave financiare, regjistrimet pa dokumentacion justifikues apo mosrespektimi i procedurave të inventarizimit, projektligji parashikon masa administrative dhe gjoba që mund të arrijnë deri në tre paga mujore për zyrtarët përgjegjës.

Shqipëria 6 Korrik Edel Strazimiri

Si ka nisur kjo javë për valutat e huaja?

Dollari amerikan edhe pse jo me ndonjë ndryshim të ndjeshëm nga java që lamë pas ka regjistruar një rritje të lehtë të kuotës këtë mëngjes duke e nisur javën......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat