Shqipëria Postuar më 18 Korrik 2026, 11:18

Kontrollohen mbi 20 mijë vende pune - 415 inspektime këshilluese në biznese

Nga Fabjona Pasho

Kontrollohen mbi 20 mijë vende pune - 415 inspektime këshilluese

Mbi 20 mijë vende pune janë kontrolluar nga Inspektorati Shtetëror i Punës gjatë muajit qershor, në kuadër të verifikimeve për respektimin e legjislacionit të punës dhe standardeve të sigurisë.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë këtij muaji janë inspektuar 1 mijë e 19 subjekte, ndërsa kontrollet kanë përfshirë 20 mijë e 963 vende pune në të gjithë vendin.

Përveç kontrolleve, Inspektorati ka zhvilluar edhe 415 inspektime këshilluese, me qëllim orientimin e bizneseve për zbatimin e detyrimeve ligjore ndaj punëmarrësve, përfshirë kontratat e punës, oraret, pagat dhe kushtet e sigurisë.

Nga verifikimet e kryera janë vendosur 951 masa administrative ndaj subjekteve ku janë konstatuar shkelje. Shifra tregon se problematikat në marrëdhëniet e punës dhe respektimin e standardeve ligjore vijojnë të mbeten të pranishme në një pjesë të konsiderueshme të bizneseve.

Gjatë qershorit janë trajtuar gjithashtu 109 ankesa të paraqitura nga qytetarët dhe punëmarrësit. Trajtimi i tyre përbën një tjetër pjesë të punës së institucionit.

Inspektorati synon që përmes kontrolleve, këshillimit dhe ndjekjes së ankesave të rrisë formalizimin e tregut, të mbrojë punonjësit dhe të forcojë përgjegjshmërinë e punëdhënësve gjatë ushtrimit të aktivitetit.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat