Shqipëria Postuar më 16 Qershor 2026, 10:56

Ligji i faljes fiskale/ Ja kush përfiton nga fshirja e detyrimeve dhe kamatëvonesave

Nga Edel Strazimiri

Ligji i faljes fiskale/ Ja kush përfiton nga fshirja e detyrimeve dhe

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar sqarimet më të fundit për zbatimin e ligjit “Për fshirjen/shuarjen e detyrimeve tatimore të papaguara”, duke u bërë thirrje tatimpaguesve të përfitojnë nga lehtësitë fiskale brenda afateve të përcaktuara.

Sipas Administratës Tatimore, tatimpaguesit që duan të përfitojnë nga fshirja e 50% të detyrimit principal të papaguar për periudhën 2015–2019 duhet të shlyejnë 50% e mbetur deri më 30 qershor 2026. Nëse ky afat nuk respektohet, ata mund të përfitojnë nga fshirja e 25% të principalit, duke paguar 75% të detyrimit deri më 31 dhjetor 2026.

Tatimet sqarojnë se ligji zbatohet vetëm për detyrimet tatimore dhe doganore të papaguara ndaj administratës qendrore, vendore dhe doganore. Për rrjedhojë, nuk përfshihen në skemën e faljes gjobat për mosdorëzimin në afat të pasqyrave financiare apo për mosdeklarimin e pronarëve përfitues në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Një lehtësi e veçantë parashikohet për detyrimet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Tatimpaguesit që kanë shlyer plotësisht principalin përfitojnë faljen e plotë të gjobave dhe kamatëvonesave për periudhën deri më 31 dhjetor 2024.

Për detyrimet e krijuara gjatë viteve 2020–2024 nuk parashikohet falje e principalit, por ligji mundëson fshirjen e gjobave dhe kamatëvonesave, me kusht që detyrimet të paguhen plotësisht brenda periudhës 10 qershor – 31 dhjetor 2026.

Administrata Tatimore bën të ditur se, pas shlyerjes së detyrimeve, do të procedojë me heqjen e masave shtrënguese, përfshirë zhbllokimin e llogarive bankare për tatimpaguesit që rezultojnë pa detyrime të papaguara.

Për të përshpejtuar procedurat, subjektet mund të paraqesin kërkesë për heqjen e masave përmes sistemit e-Filing, pasi të kenë verifikuar se nuk kanë detyrime të mbetura.

Nga përfitimet e ligjit përjashtohen tatimpaguesit e dënuar me vendim të formës së prerë ose ata që janë në hetim apo proces gjyqësor për vepra penale në fushën tatimore dhe doganore. Gjithashtu, nuk përfitojnë subjektet për të cilat ekziston një vendim gjyqësor i formës së prerë në favor të Administratës Tatimore.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u bën thirrje të gjithë tatimpaguesve të informohen mbi kushtet dhe afatet e ligjit, në mënyrë që të mos humbasin mundësinë për të përfituar nga lehtësitë fiskale të ofruara.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat