Shqipëria Postuar më 24 Korrik 2026, 12:23

Prezantohet “eArkiva”: Sistemi inteligjent që synon të digjitalizojë menaxhimin e dokumenteve në administratën publike

Nga Edel Strazimiri

Prezantohet “eArkiva”: Sistemi inteligjent që synon të

Një hap i ri drejt administratës pa letra është hedhur me prezantimin e platformës “eArkiva”, një sistem inteligjent për administrimin elektronik dhe arkivimin e dokumenteve zyrtare.

Platforma u prezantua nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Sistemi është zhvilluar nga AKSHI nën mbikëqyrjen e DPA-së dhe do të përdoret fillimisht nga ministritë dhe institucione të tjera shtetërore, për t'u shtrirë më pas në të gjithë administratën publike.

Gjatë prezantimit, drejtori i përgjithshëm i DPA-së, Auron Rrokaj, e cilësoi “eArkiva” një nga shembujt konkretë të transformimit të administratës shqiptare në dekadën e fundit, duke e lidhur këtë proces me objektivin e qeverisë për krijimin e një administrate moderne dhe pa dokumente në letër.

Sipas tij, projekti pilot pritet të nisë së shpejti në disa ministri, ndërsa nga janari 2027 digjitalizimi i dokumentacionit do të shtrihet në të gjithë administratën publike.

Nga ana e saj, zëvendësdrejtoresha e përgjithshme e AKSHI-t, Romina Kostani, theksoi se transformimi digjital i arkivave nuk kufizohet vetëm në skanimin dhe ruajtjen elektronike të dokumenteve.

Ajo u shpreh se përdorimi i teknologjive të Inteligjencës Artificiale i bën dokumentet më të lehta për t'u kërkuar, analizuar dhe përdorur, duke ndihmuar institucionet në marrjen e vendimeve më të shpejta dhe më efikase.

“eArkiva” është ndërtuar si një platformë e centralizuar që menaxhon të gjithë ciklin jetësor të dokumentit, nga skanimi dhe verifikimi, deri te ruajtja afatgjatë në formatin PDF/A.

Përmes integrimit të teknologjisë OCR dhe Inteligjencës Artificiale, sistemi synon të automatizojë një pjesë të konsiderueshme të proceseve të administrimit të dokumenteve. Kjo pritet të reduktojë kohën e përpunimit, kostot dhe nevojën për procedura manuale, duke përshpejtuar modernizimin e administratës publike dhe shërbimeve shtetërore.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat