Shqipëria Postuar më 15 Korrik 2026, 12:36

“Procesi i legalizimeve mbyllet në vitin 2028” - Goxhobelli: 130 mijë vetëdeklarime, ende në shqyrtim

Nga Diamila Leka

“Procesi i legalizimeve mbyllet në vitin 2028” - Goxhobelli:

Procesi i legalizimeve pritet të përfundojë brenda vitit 2028, ndërsa rreth 130 mijë vetëdeklarime vijojnë ende të jenë në proces shqyrtimi. Afati u bë i ditur nga drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, gjatë seancës dëgjimore në Nënkomisionin për Auditimin e Sektorit Publik. 

“Viti 2025, me 26 mijë e 101 legalizime, ka qenë viti më i mirë sa i takon legalizimeve që kur është krijuar ASHK-ja, në vitin 2019. Për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 kemi miratuar 17 mijë e 396 vendime legalizimi. Është një numër më i lartë se në vitet 2023 dhe 2024 dhe do të jetë një vit edhe më i mirë se viti 2025. Patjetër që kemi një numër shumë të madh dosjesh për këtë proces. Afati ligjor për të mbyllur legalizimet është viti 2028.”

Seanca dëgjimore u zhvillua në kuadër të shqyrtimit të zbatimit të rekomandimeve të lëna nga Kontrolli i Lartë i Shtetit pas auditimeve të kryera në shtatë drejtori vendore të Kadastrës. Drejtuesja e ASHK-së paraqiti rekomandimet e zbatuara, si dhe masat që vijojnë të mbeten të parealizuara.

“33 rekomandime nuk janë zbatuar, sepse nuk kanë ekzistuar kushtet për marrjen e masave…”

Një pjesë e rekomandimeve lidhet pikërisht me procesin e legalizimeve. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar raste në të cilat objekte të ndryshme janë legalizuar në kundërshtim me kërkesat dhe kriteret e parashikuara në ligj. Për këto praktika është kërkuar verifikimi i procedurave të ndjekura, evidentimi i përgjegjësive dhe marrja e masave përkatëse.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat