Shqipëria Postuar më 20 Korrik 2026, 10:34

Raporti 6 mujor, kryhen mbi 5.300 inspektime - Muçaj: Aksidentet fatale në vendin e punës u ulën me 50%

Nga Diamila Leka

Raporti 6 mujor, kryhen mbi 5.300 inspektime - Muçaj: Aksidentet fatale

Inspektorati Shtetëror i Punës ka shtuar kontrollet në terren gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026. Nga janari deri në qershor janë kryer 5 mijë e 371 inspektime, të cilat kanë përfshirë rreth 110 mijë vende pune. Tre në katër kontrolle janë zhvilluar sipas planifikimit të institucionit, ndërsa 25% kanë qenë inspektime të paprogramuara, të nisura pas ankesave, aksidenteve në punë apo verifikimeve rastësore. Rreth 30% e subjekteve janë kontrolluar për herë të parë.

“Për t'u kthyer tek tek shifrat, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, Inspektorati i Punës ka realizuar 5371 inspektime. Kemi një numër në rritje të inspektimeve dhe në këto inspektime, pjesë e këtyre inspektimeve ka qenë rreth 110.000 vende pune. Procesi inspektimeve ka qenë i ndarë në 75% të inspektimit kanë qenë pjesë e planeve tona dhe 25% e inspektimeve kanë qenë inspektime të paprogramuara apo jashtë plani, të cilat janë zhvilluar për arsye ankese, aksidenti apo inspektime rastësore. Rreth 30% e subjekteve të inspektuara janë subjekte që janë inspektuar për herë të parë, pra nuk kanë pasur një histori inspektimi në të shkuarën dhe në fokusin tonë ka qenë këshillimi, informimi edhe vlerësimi i marrëdhënieve të punës, sigurisë shëndetit në punë në këto subjekte.”

Problemet e evidentuara nga inspektorët ndahen mes kushteve të sigurisë dhe shkeljeve të të drejtave të punëmarrësve.

“Në fokus të inspektimit të punës janë marrëdhëniet e punës dhe siguria e shëndeti në punë, ku shkeljet janë të ndara në këto dy grupe. Konkretisht, 40% e shkeljeve të evidentuara lidhen me sigurinë dhe shëndetin në punë. Ndërkaq, 40% e shkeljeve të tjera lidhen me marrëdhëniet e punës, kryesisht me mospagesën e detyrimeve të pagës dhe sigurimeve të punëmarrësit, orët e punës, kohën e punës dhe lejet vjetore, të cilat kanë qenë elemente të moszbatimit të legjislacionit të punës. Pjesa e mbetur prej rreth 20% e shkeljeve lidhet drejtpërdrejt me çështje të informalitetit në punë”.

Gjatë kontrolleve janë identifikuar 1 mijë e 432 punonjës informalë, më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Muçaj deklaron se pothuajse të gjithë punonjësit e konstatuar tërësisht të paregjistruar janë formalizuar gjatë procesit të kontrollit.

“Në praktikat tona inspektuese janë evidentuar 1432 punonjës informalë, i cili është një numër në rritje në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Dhe doja që të theksoja që kjo është e lidhur drejtpërdrejt me cilësinë e inspektimit, me planifikimin e inspektimit dhe realizimin e procesit të inspektimit në terren. Gati 100% e punonjësve informalë, pra totalisht të paregjistruar, apo informaliteti i zi siç ne e klasifikojmë ose e themi në zhargonin e përditshëm, janë regjistruar brenda procesit të inspektimit. Dhe kjo ka ardhur në sajë të përdorimit në mënyrë efektive të një mase të rëndësishme që ne kemi, që është pezullimi i aktivitetit. Pra, në momentin që evidentohen punonjës informalë, inspektoriati i punës ka të drejtë ligjore të pezullojë këtë aktivitet deri në formalizimin e plotë të tyre."

Siguria në punë vijon të mbetet një nga sfidat më të mëdha. Në gjashtë muaj janë regjistruar rreth 100 aksidente, nivel i ngjashëm me një vit më parë. Megjithatë, numri i aksidenteve fatale është ulur me 50%, duke zbritur në 11 raste.

“Numri aksidenteve në punë si numër i përgjithshëm është në nivel të njëjtë, pra janë rreth 100 aksidente në punë të regjistruara. Por lajmi pozitiv që unë do thoja është që numri aksidenteve fatale është ulur me 50%. Dhe Inspektorati i Punës në gjashtëmujorin e parë ka regjistruar 11, 11 aksidente fatale, ku doja që të ndaloja dhe të theksoja që në brenda këtyre 11 aksidenteve fatale, tre prej tyre janë aksidente të cilat kanë ndodhur për shkaqe natyrore në ambient pune dhe gjatë kohës së punës, dhe për shkak të ligjit ato klasifikohen apo numërohen si aksidente në vendin e punës. Dhe dy aksidente fatale janë aksidente rrugore, të cilat kanë ndodhur gjatë kohës së punës apo gjatë kohës së së vajtjes dhe kthimit në punë, dhe edhe këtu për shkak ligjit klasifikohen si të tilla. Në qoftë se do të ndaloja tek gjashtë aksidentet që janë drejtpërdrejt të lidhura me vendin e punës. Dy nga këto aksidente fatale i përkasin sektorit minerar. Dy aksidente i përkasin sektorit të ndërtimit, ku më vjen mirë që të theksoj që këtu ka një përmirësim të ndjeshëm apo ka një ulje të ndjeshme të aksidenteve fatale në këtë sektor. Dhe dy janë aksidente të cilat kanë ndodhur në ndërmarrjet prodhuese, ku këtu është e përfshirë dhe industria e rëndë.”

Paralelisht me rritjen e kontrolleve është ashpërsuar edhe reagimi ndaj subjekteve që nuk respektojnë legjislacionin. Në gjashtë muaj janë vendosur 644 masa pezullimi dhe 3 mijë e 635 paralajmërime.

“Janë vendosur 644 pezullime, apo 172 më shumë sesa një ditë më parë. Janë vendosur, 3635 paralajmërime, apo 2200 më shumë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë. Pra kjo është një shtrëngim i fortë i moszbatimit të marrëdhënieve të punës apo të sigurisë dhe shëndetit në punë. Gjithashtu, ka një rritje të gjobave, ku në këtë gjashtëmuaj janë vendosur 133 gjoba, rreth 15% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë me një vlerë 41 milion e 408 mijë lekë të reja, apo 12 milion lekë më shumë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë."

Të dhënat tregojnë se informaliteti, cenimi i të drejtave të punëmarrësve dhe mungesa e kushteve të sigurisë vazhdojnë të jenë problematika të përhapura në tregun e punës. Megjithëse aksidentet fatale janë përgjysmuar, vetëm në gjashtë muaj, gjashtë punonjës humbën jetën në ngjarje të lidhura drejtpërdrejt me aktivitetin në vendin e punës.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat