Shqipëria Postuar më 9 Qershor 2026, 11:20

Tatimet u japin një mundësi të dytë prindërve: Riaplikim për kompensimin e shpenzimeve arsimore

Nga Edel Strazimiri

Tatimet u japin një mundësi të dytë prindërve:

Individët të cilëve u është refuzuar kërkesa për përfitimin e kompensimit nga zbritja e shpenzimeve arsimore për fëmijët, për shkak të mungesës së faturave të fiskalizuara, do të kenë mundësinë të riaplikojnë dhe të përfitojnë nga skema, nëse plotësojnë dokumentacionin e kërkuar.

Administrata Tatimore ka nisur njoftimin e aplikuesve, dosjet e të cilëve nuk janë miratuar gjatë procesit të verifikimit për shkak se nuk janë ngarkuar faturat tatimore që provojnë shpenzimet e deklaruara për arsimin e fëmijëve.

Sipas sqarimeve zyrtare, refuzimi i parë i aplikimit nuk nënkupton humbjen e të drejtës për kompensim. Çdo individ që disponon faturat e fiskalizuara përkatëse mund të paraqesë një kërkesë të re, duke ndjekur procedurat e përcaktuara nga Drejtoritë Rajonale të Tatimeve dhe duke ngarkuar dokumentacionin justifikues në sistem.

Administrata Tatimore thekson se faturat e fiskalizuara janë një kusht i domosdoshëm për miratimin e zbritjes së shpenzimeve, në përputhje me legjislacionin në fuqi për tatimin mbi të ardhurat personale.

Nga kjo skemë përfitojnë individët me të ardhura bruto vjetore deri në 1.2 milionë lekë dhe që kanë fëmijë në ngarkim. Përveç zbritjes së tatueshme prej 48 mijë lekësh për çdo fëmijë nën moshën 18 vjeç, ata mund të përfitojnë edhe zbritjen e shpenzimeve të arsimit deri në 100 mijë lekë, me kusht që këto shpenzime të dokumentohen me faturat përkatëse.

Sipas llogaritjeve të administratës, përfitimi total për familjet që plotësojnë të dy kriteret mund të arrijë deri në rreth 250 euro.

Ndërkohë, në fund të muajit maj nisi edhe procesi i rimbursimit të tatimit për individët që kanë deklaruar fëmijët në ngarkim në Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) për vitin 2025.

Të dhënat zyrtare tregojnë se nga ky proces kanë përfituar 34.263 individë, ndërsa shuma totale e kthyer në favor të tyre arrin në 517.7 milionë lekë.

Administrata Tatimore bën me dije se strukturat e saj po ofrojnë asistencë për qytetarët që kanë nevojë të riaplikojnë, duke i ndihmuar në plotësimin e dokumentacionit dhe ngarkimin korrekt të faturave të fiskalizuara në sistem.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat