FunData Postuar më 18 Qershor 2026, 17:03

Sa orë duhet të punojë një shqiptar për të fituar 100 mijë lekë? Duhen 25 ditë për 100 mijë lekë bruto dhe rreth 31 ditë për të njëjtën shumë neto

Nga Xhorxhina Deda

Sa orë duhet të punojë një shqiptar për të fituar

Një pagë prej 100 mijë lekësh në muaj konsiderohet nga shumë shqiptarë si një kufi psikologjik për të ardhura të mira, por sa kohë duhet të punojë një qytetar mesatar për ta arritur këtë shumë?

Sipas INSTAT, paga mesatare mujore bruto në Shqipëri arriti në 90,119 lekë në tremujorin e parë të vitit 2026, ndërsa paga mesatare neto, pra shuma që punonjësi merr realisht në dorë pas zbritjes së tatimeve dhe kontributeve, vlerësohet në 72,210 lekë.

Ndërkohë, sipas të dhënave të INSTAT, një i punësuar në Shqipëri punon mesatarisht 41.3 orë në javë, ose rreth 179 orë në muaj.

Bazuar në këto të dhëna, një shqiptar me pagë mesatare bruto fiton rreth 503 lekë për çdo orë pune, ndërsa në terma neto fitimi zbret në rreth 403 lekë për orë.

Kjo do të thotë se për të fituar 100 mijë lekë bruto, një punonjësi mesatar i duhen rreth 199 orë pune, ndërsa për të marrë 100 mijë lekë neto në dorë i duhen rreth 248 orë pune.

E përkthyer në ditë pune me nga tetë orë, kjo nënkupton rreth 25 ditë pune për 100 mijë lekë bruto dhe 31 ditë pune për të siguruar të njëjtën shumë neto.

Llogaritja nxjerr në pah diferencën mes pagës bruto dhe asaj neto, por edhe faktin se një shumë prej 100 mijë lekësh kërkon pothuajse të gjithë muajin e punës për një të punësuar mesatar në Shqipëri.

Si krahasohet kjo me vendet e tjera?

Një analizë e publikuar nga Visual Capitalist, e bazuar në të dhënat e OECD tregon se koha e nevojshme për të fituar një shumë të caktuar ndryshon ndjeshëm nga një vend në tjetrin.

Sipas analizës, në Luksemburg dhe Islandë një punonjësi mesatar i duhen vetëm 16 orë pune për të fituar 1,000 dollarë, ndërsa në Shtetet e Bashkuara nevojiten rreth 22 orë. Në fund të renditjes ndodhen Meksika, me 78 orë pune, dhe Kolumbia, ku nevojiten 86 orë pune për të fituar të njëjtën shumë.

Edhe pse metodologjia e përdorur në këtë analizë bazohet në pagat vjetore të rregulluara sipas fuqisë blerëse (PPP) dhe nuk është plotësisht e krahasueshme me llogaritjen për Shqipërinë, ajo ilustron qartë se sa shumë ndryshon vlera e një ore pune nga një ekonomi në tjetrën.

Sa orë duhet të punojë një shqiptar për të fituar

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat