Scan Life Postuar më 17 Korrik 2026, 10:33

Bluza e Pelé shitet për 4.9 milionë dollarë - Vendin e parë e mban “Dora e Zotit” e Maradonës, me 9.3 milionë dollarë

Nga Lidion Kulla

Bluza e Pelé shitet për 4.9 milionë dollarë - Vendin e

Një bluzë e veshur nga Pelé gjatë performancës së tij të shkëlqyer në finalen e Kupës së Botës FIFA 1958 është shitur në shtëpinë e ankandeve, Sotheby's për 4.9 milionë dollar. Në këtë mënyrë, fanella bëhet artikulli më i shtrenjtë i Pelé, i shitur ndonjëherë në ankand dhe e dyta më e vlefshme në botën e futbollit e shitur ndonjëherë.

Fanella blu e Brazilit me numrin 10 u vesh nga 17-vjeçari Edson Arantes do Nascimento, i njohur tashmë në botë si Pelé, më 29 qershor 1958, në stadiumin Rasunda në Stokholm, ku Brazili mundi vendin pritës Suedinë 5-2, për të fituar titullin e parë të Kupës së Botës.

Pelé shënoi dy herë në finale, duke u bërë lojtari më i ri që shënon në një finale të Kupës së Botës, një rekord që ende qëndron i pa prekur. “Ishte fanella që veshi kur e prezantoi veten para të gjithë botës”, tha Brendan Hawkes, zëvendëspresident i strategjisë dhe zhvillimit sportiv të Sotheby’s.

Pasi mori 10 oferta nga më shumë se pesë ofertues, fanella u shit për 4.9 milionë dollarë gjatë Javës Sportive të Sotheby's në New York. Bluza më e shtrenjtë e shitur ndonjëherë është e ashtuquajtura “Dora e Zotit” e Diego Armando Maradonës, e cila u shit për 9.3 milionë dollarë në Sotheby's në vitin 2022, duke u bërë objekti më i shtrenjtë në botën e futbollit, i shitur ndonjëherë në ankand.

Përpara se kjo fanellë të shitej për 4.9 milionë dollarë, objekti më i shtrenjtë i lidhur me Pelé që ishte shitur ndonjëherë në ankand, ishte një kartë koleksionuese e tij nga sezoni debutues, që u shit për 976 mijë dollarë në qershor të vitit 2026. Vetë fanella ishte shitur më parë në vitin 2004 për 105,600 dollarë.

Bluza e Peles ishte pjesa kryesore e ankandit të quajtur “Loja e Bukur” e Sotheby's, i cili përkoi me Kupën e Botës FIFA 2026.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat