FMN vlerëson masat e marra nga AMF për garantimin e stabilitetit të tregjeve financiare nën mbikëqyrje
Fondi Monetar Ndërkombëtar vijon takimet në Tiranë me drejtues të institucioneve financiare, në kuadër të misionit për artikullin IV. Në takimin e zhvilluar mes Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, z. Ervin Mete dhe misionit të udhëhequr nga znj. Yan Sun u diskutua mbi zhvillimet e fundit në tregjet nën mbikëqyrjen e AMF, ndikimet e faktorëve të jashtëm dhe luhatshmëria e tregjeve financiare, si edhe masat e marra nga Autoriteti.
Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, duke u ndalur te ecuria e tregjeve nën mbikëqyrje, vlerësoi se ndikimet kryesore si pasojë e luhatjes së tregjeve financiare botërore, rritjes së inflacionit dhe normave të interesit janë reflektuar kryesisht te fondet e investimit, ndërsa në tregjet e sigurimeve dhe pensioneve private efektet deri tani kanë qenë të kufizuara.
Mete theksoi se Autoriteti ka treguar vëmendje të shtuar në monitorimin e treguesve kryesorë financiarë të subjekteve nën mbikëqyrje. Ai veçoi vendimet e Bordit të AMF-së për të adresuar efektet vijuese të situatës së tregjeve financiare dhe presionet rritëse të normave të interesit, njofton AMF.
Shefja e Misionit të FMN-së për Shqipërinë, znj. Yan Sun vlerësoi rolin e Autoritetit si edhe masat e marra prej tij në funksion të garantimit të stabilitetit financiar dhe amortizimit të ndikimeve në tregjet nën mbikëqyrje. Ajo kërkoi ushtrimin e një kujdesi të shtuar monitorues, marrë në konsideratë se situata ndërkombëtare mbetet e paqartë dhe presionet inflacioniste parashikohet të jenë të pranishme.
Në këtë drejtim, pjesëmarrësit në takim ndanë qëndrimin se monitorimi në vijimësi dhe mënyrë të kujdesshme i situatës, bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare dhe autoritetet homologe për realizimin e ndërhyrjeve të matura dhe të duhura rregullatore, është me rëndësi të veçantë për adresimin e efekteve të mundshme në tregjet financiare nën mbikëqyrje.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.