Gati ndërtimi i centralit fotovoltaik në Fier – Qeveria miraton vendimin. Kapaciteti i instaluar do të jetë 100 MW
Diamila Leka/ Scan
Qeveria shqiptare ka miratuar ndërtimin e një centrali gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse në Darëzezë në qarkun e Fierit. Sipas vendimit, kapaciteti i instaluar i centralit do të jetë 100 MW nga shoqëria “SUNNY SIDE ENERGY”, sh.p.k”.
Ndërkohë, koha për ndërtimin, pajisjen me lejen e ndërtimit si dhe vënien në operim të impiantit fotovoltaik, është përcaktuar të jetë brenda 36 muajve dhe afati i operimit do të jetë për 49 vjet. Ky central fotovoltik nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse.
Referuar vendimit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit.
Ndërkohë që në vendim detyrimet e shoqërise janë që të paraqesë periodikisht, çdo tre muaj në institucionet e lartëpërmendura, informacionet për ecurinë e ndërtimit të centralit, të resepektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore.
Gjithashtu, një nga detyrat e përcaktuara është që t’i japë falas ministrisë përgjegjëse për energjinë, sasinë e energjisë elektrike në masën 2 % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.