Gjermania kërkon “të shmangë konfliktin me Kinën” – Ministri Habeck synon zgjidhje politike për makinat elektrike
Kristi Ceta/SCAN
Ministri gjerman i Ekonomisë Robert Habeck bëri thirrje për një zgjidhje politike të mosmarrëveshjeve midis Bashkimit Evropian dhe Kinës mbi tarifat e makinave elektrike pas një takimi me Ministrin Kinez të Tregtisë Wang Wentao.
“Ne duam të shmangim një konflikt tregtar që në fund të fundit dëmton të dyja palët. Ndaj kemi nevojë për një zgjidhje politike”, tha Habeck në një deklaratë.
Komisioni Evropian thotë se nevojiten rregulla për të kundërshtuar kreditë e lira, lëndët e para dhe subvencionet e tjera që Kina u mundëson bizneseve vendase.
“Për mua është e rëndësishme të bëj të qartë se Gjermania nuk po i shmanget konkurrencës me Kinën. Përkundrazi, ne e përqafojmë konkurrencën, por ajo duhet të jetë me kushte të drejta,” u shpreh Habeck.
Deklarata e tij u bën jehonë komenteve të qeverisë gjermane javën e kaluar, kur një zëdhënës tha se qeveria federale kishte qenë skeptike në lidhje me propozimin e BE-së për tarifat që në fillim dhe ky qëndrim mbetet i pandryshuar. Gjithashtu, edhe kryeministri spanjoll Pedro Sanchez u ka bërë thirrje vendeve anëtare të BE-së dhe Komisionit Evropian që të rishqyrtojnë qëndrimin e tyre.
Taksat e përkohshme deri në 37.6% për automjetet elektrike të importuara nga Kina nuk kërkonin mbështetjen e vendeve anëtare, por tarifat përfundimtare mund të bllokohen nëse pjesa më e madhe e 27 shteteve të BE-së është kundër tyre.
Gjermania abstenoi në votimin e parë këshillues, që në fakt nënkuptonte mbështetjen e Komisionit ndërsa vazhdonte negociatat me Pekinin mbi çështjen më të madhe tregtare të BE-së.
Plani i Komisionit ka ngjallur shqetësime midis ekspertëve të industrisë në të gjithë Evropën. Kritikët argumentojnë se masa mund të përkeqësojë çështjet e konkurrencës së Bashkimit Evropian, të pengojë tranzicionin e gjelbër dhe të përshkallëzojë tensionet tregtare me Kinën.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.