Ibrahimaj dhe Murati në portin e Durrësit: Po punojmë intensivisht në drejtim të bashkimit doganor!
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, dhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve të Kosovës, Hekuran Murati, zhvilluan sot një vizitë në Degën Doganore në Durrës, ku funksionon dhe Zyra Doganore e Kosovës ku ishin të pranishëm edhe dy Drejtorët e Përgjithshëm të Doganave, Gazheli dhe Llugaliu.
Sipas informacionit që prej datës 1 tetor, në doganën e Durrësit po kryhet zhdoganimi i të gjitha mallrave me destinacion Kosovën, ndërsa më parë zhdoganoheshin vetëm maunet dhe karburantet dhe Ibrahimaj e konsideroi këtë si një procedurë që lehtëson biznesin dhe redukton burokracitë pasi, që kur nisi rreth 70 % e deklaratave janë proceduar në zyrën Doganore të Kosovës, gjë që tregon për interesin e biznesit për të kryer procedurat e zhdoganimit në portin e Durrësit.
Ministrja informoi se qeveritë e dy vendeve janë duke punuar intensivisht në drejtim të bashkimit doganor, nismë kjo që pritet të materializohet së shpejti dhe që do të përbëjë lehtësinë tjetër të radhës për tregtinë mes bizneseve të dy vendeve.
Nga ana e tij, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve i Kosovës, Hekuran Murati, tha se hapja e Zyrës Doganore në portin e Durrësit është një arritje e jashtëzakonshme për ekonominë e Kosovës, kursen kohën dhe kostot për biznesin dhe i kursen rreth 2 milionë euro bizneseve që kryejnë tregti përmes portit të Durrësit.
Ministri Murati theksoi se këtij procesi i shton një vlerë të jashtëzakonshme edhe vendosja e kontrollit fitosanitar veterinar përmes Agjencisë Kosovare të Ushqimit që janë vendosur në portin e Durrësit së bashku me zyrtarët e Doganës.
Gjithashtu, ai informoi se hapi i radhës do të jetë fillimi i zhdoganimit në terminalin Vërmicë-Morinë, proces ky që do të nisë me përfundimin e punimeve për zgjerimin e terminalit.
Ashtu si Ministrja Ibrahimaj, edhe Ministri Murati pohoi se grupet e punës nga të dy vendet po punojnë për kryerjen e një analize për bashkimin doganor, në mënyrë që të hiqen të gjitha barrierat e burokracitë mes dy vendeve dhe që bashkëpunimi tregtar të mos ketë asnjë pengesë.
E . S / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.