Informacionet e rreme: Turqia do aplikojë rregulla më të rrepta për rrjetet sociale!
Kur parlamenti turk më 1 tetor mblidhet për herë të parë pas pushimeve të verës, në krye të rendit të ditës qëndron „projektligji për luftën ndaj përhapjes së informacioneve të rreme në rrjetet sociale”. Sipas dëshirës së qeverisë së presidentit Rexhep Taip Erdogan ky ligj duhet të miratohet sa më shpejt të jetë e mundur nga parlamenti.
Opozitarët dhe kritikët druajnë, se ligji i ri mund të keqpërdoret për shtypjen e mendimit dhe shtypit të lirë veçanërisht tani në prag të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në qershor 2023. Pas reagimeve të ashpra ndaj projektligjit partia AKP në qeverisje mori në konsideratë zbutjen e dënimeve të ashpra të parashikuara, ndaj të cilave vazhdon të insistojë partia ultranacionaliste në koalicionin qeverisës MHP.
Ligji kundër disinformimit apo censurë?
Në valën e ligjit kundër disinformimit janë bërë edhe ndryshime në ligjin e shtypit dhe në kodin penal. Në rast se projektligji kalon në formën aktuale, do të përfshihet në të edhe një akt i ri penal, i njohur si paragrafi 217/A. Ky paragraf parashikon dënime me burgim nga një deri në tre vjet për „përhapjen e informacioneve të rreme lidhur me sigurinë e brendshme dhe të jashtme të vendit, rendit publik dhe shëndetit të përgjithshëm”.
Ajo që ngjall diskutime brenda dhe jashtë parlamentit është, se ligji ofron një hapësirë të madhe veprimi, sa u përket „informacioneve të rreme”. Kritikët vërejnë, se ligji është i përshtatshëm për të kufizuar përmes tarifave lirinë e mendimit dhe të shtypit.
Nisma civile “Rrjeti për ekuilibrin dhe kontrollin” (DDA), që veçanërisht analizon ligjet, e kritikon projektligjin: „Rregullorja e re aplikon një lloj tjetër akti penal të vështirë për tu përkufizuar duke e vendosur atë nën sanksion shumë të rreptë penal.” Edhe sindikatat dhe shoqatat e mediave në qershor protestuan në rrugë kundër këtij projektligji të qeverisë nën moton „Jo ligjit të censurës”.
Ligji i disinformimit mund të pengonte çështje legjitime
Druhet se me këtë ligj jo vetëm mund të ndëshkohen por edhe të pengohen informacione rëndësishme dhe çështje legjitime. Si shembull mund të shërbejë fushata „Ku kanë mbetur 128 milionë dollarët?”. Partia më e madhe në opozitë CHP vitin e kaluar kërkoi llogari nga Banka Qendrore turke për 128 milionë dollarët e zhdukur.
Fushata ishte aq e suksesshme, sa Banka Qendrore më në fund u detyrua të japë një deklaratë. Por AKP e cilësoi këtë fushatë si „disinformim”. DW
E . S / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.