“Investitorët e huaj, të barabartë me ata vendas” – Plaku: Lehtësitë fiskale e kanë kthyer Shqipërinë në vend strategjik për investime
Ledina Elezi / SCAN
Një investitor i huaj në Shqipëri trajtohet njëlloj me një investitor vendas. Në një intervistë për Televizionin SCAN, drejtoresha e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve u shpreh se klima mikpritëse e investimeve, lehtësirat fiskale dhe pozicioni gjeografik i Shqipërisë po tërheqin gjithnjë e më shumë investime.
“Një investitor i huaj është njëllloj si një investitor shqiptar, legjislacioni nuk bën asnjë lloj diferencimi midis një investitori të huaj dhe shqiptar, që do të thotë se ata nuk kanë nevojë për një autorizim paraprak për të hapur një biznes në Shqipëri, nuk kanë nevojë për një autorizim për pjesën e përqindjeve të ortakërisë, apo të përqindjes që ata do të kenë në një entitet shqiptar, dhe jo detyrimisht mund të jetë shqiptar, mund të jetë një filial, mund të operojë me një entitet të huaj që vijon të jetë i tillë, pasi Shqipëria është pjesë tashmë e shumë marëveshjeve ndërkombëtare dhe për taksimin e dyfishtë, ashtu si dhe CEFTA, EFTA. I gjithë kuadri ligjor dhe fiskal është shumë i favorshëm që ata të operojnë këtu.”
Investimet kryesore janë të përqendruara në sektorin e turizmit, të pasurive të paluajtshme, energjisë, apo industrisë nxjerrëse.
“Patjetër që turizmi zë një peshë të madhe, për shkak edhe të bumit turistik dhe të burimeve natyrore që ofron. Nga ana tjetër janë të gjithë sektorët e tjerë që janë shumë të zhvilluar, energjia ka një vëmendje të shtuar, manifaktura në sektorët e vet të automativës, tekstilet, ICT, të gjitha këto janë sektorë që po preken dhe ka një interes të shtuar. Sektori i pasurive të paluajtshme mbetet që të jetë dominant në vend dhe kontribuon në pjesën e GDP më shumë se sektorët e tjerë.”
Në gjysmën e parë të vitit, fluksi i investimeve të huaja direkte shënon vlerën 749 milionë euro. Në krahasim me vitin e kaluar ku kjo shifër ishte 694 milionë, këtë vit vërehet një rritje me afro 8 %, ose 55 milionë euro.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.