KESH, tender për blerje energjie – Bien çmimet në bursa, shpenzohen 6 milionë euro për nevojat e 2 ditëve
Pas disa ditë me nivele rekord, çmimet e energjisë ne bursën e Hungarisë kanë shënuar tendencë në rënie gjatë 3 ditëve të fundit, teksa tregu i datës 2 shtator u mbyll me çmim mesatar prej 493.95 euro/MWh, nga 748.97 euro/MWh që ishte në datën 30 gusht.
Bursa Hungareze shërben si referencë për transaksionet në Shqipëri, teksa ecuria e saj prek drejtpërdrejt buxhetin e Korporatës Elektorenergjetike Shqiptare, duke qenë se blerjet kryhen me baza ditore ose javore.
Ndërkaq, të premten KESH beu 12 360 MWh energji, me qëllim plotësimin e nevojave konsumatore në datat 3 dhe 4 shtator. Në total për këtë blerje u shpenzuan rreth 6 mln euro, teksa çmimi mesatar me të cilin u sigurua energjia ishte 487,63 Euro/MWh. Kryerja e kësaj procedure vjen pas deklaratave të KESH, se do të mbulojnte nevojat për energji nga prodhimi në Kaskadën e Drinit, për shkak të çmimeve të larta në tregjet ndërkombëatre, që në atë kohë ishin në rreth 460 euro/MWh.
Gjithsesi, kjo nuk është blerja e parë pas këtyre deklaratave, pasi në datën 19 gusht, KESH shpenzoi edhe 7.62 mln euro, teksa çmimi me të cilin e siguroi energjinë ishte 563 euro/MWh. Së bashku me blerjen e të premtes, që nga fillimi i vitit për blerjen e energjisë janë shpenzuar gati 250 mln euro.
Paralelisht, niveli në liqenin e Fierzës përgjatë 6 muajve të parë të vitit ka qenë nën mesataren historike, ndërkohë që edhe gjatë gushtit tendenca është në rënie, duke qenë se në datën 29 gusht niveli ishte 271.94 m, nga 281.48 m që ishtë ne fillim të këtij muaji.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.