Kina kufizon eksportet e mineraleve kritike – Qeveria: Kufizimet për të mbrojtur sigurinë kombëtare
Kristi Ceta/SCAN
Kina do të vendosë kufij të eksportit të mineraleve kritike për të mbrojtur interesat dhe sigurinë kombëtare. Disa prej tyre janë limituar nga Pekini që vitin e kaluar. Pekini do të vendosë kufizime të eksportit për antimonin dhe elementët e lidhur dhe teknologjinë e shkrirjes dhe ndarjes së antimonit të arit, të cilat do të hyjnë në fuqi nga 15 shtatori.
Kina është prodhuesi më i madh në botë i antimonit, një metal strategjik i përdorur në retardantët e flakës, bateritë, municionet dhe pajisjet fotovoltaike, duke përbërë 48% të prodhimit global të minierave të antimonit vitin e kaluar, treguan të dhënat e Shërbimit Gjeologjik të SHBA.
Qeveria kineze tha se kufizimet nuk ishin specifike për ndonjë rajon të caktuar, por të gjithëve u nevojiten për armatim, duke preferuar kështu më mirë t’i mbajë sesa t’i shesë.
Në dhjetor 2023, Kina ndaloi eksportin e teknologjisë për prodhimin e magneteve të tokës së rrallë, duke e shtuar atë në një ndalim ekzistues të teknologjisë për nxjerrjen dhe ndarjen e materialeve kritike. Tokat e rralla janë një grup prej 17 metalesh që përdoren për të krijuar magnetë që e kthejnë energjinë në lëvizje dhe gjejnë përdorim në automjetet elektrike, turbinat e erës dhe pajisjet elektronike.
Në tetor 2023, Kina tha se do të kërkojë leje eksporti për disa produkte grafiti për të mbrojtur sigurinë kombëtare. Kina është prodhuesi dhe eksportuesi më i madh i grafitit në botë, dhe gjithashtu përpunon më shumë se 90% të tij në mbarë botën. Ky material përdoret pothuajse në të gjitha anodat e baterive të makinave elektrike.
Në korrik 2023, Kina tha se do të vendoste limite në eksportet e tetë produkteve të galiumit dhe gjashtë të germaniumit nga 1 gushti, pasi tensionet u përshkallëzuan midis Pekinit dhe Uashingtonit për aksesin në materialet e përdorura në prodhimin e mikroçipave të teknologjisë së lartë. Germaniumi përdoret gjithashtu në teknologjinë me infra të kuqe, kabllot me fibra optike dhe qelizat diellore.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.