Komisioni Europian publikon progresraportin për vitin 2023/ Kritika, ndryshimit të buxhetit me Akt Normativ. Problem, ekonomia informale
Ola Mitre / SCAN
Komisioni Europian ka publikuar progres raportin për Shqipërinë, mbi ecurinë e reformave, duke evidentuar dhe analizuar progresin e arritur në fusha të caktuara për secilin kapitull. Sa i takon pjesës ekonomike, sipas dokumentit ekonomia e Shqipërisë regjistroi rritje të fuqishme dhe me bazë relativisht të gjerë. “Pas tkurrjes në 2020 dhe rikthimit të fuqishëm në 2021 dhe 2022, me ritme rritjeje përkatësisht 8.9% dhe 4.9%, zgjerimi i ekonomisë u ngadalësua, por mbeti i fortë në 3.4% në 2023”, – thuhet në dokument.
Po ashtu, konsolidimi fiskal vazhdoi në vitin 2023, me një deficit buxhetor të ngushtuar, një bilanc primar pozitiv dhe një raport të borxhit publik që vazhdoi të bjerë. Gjithsesi, në raport kritikohen ndryshimet që iu bënë buxhetit përgjatë vitit. “Në dhjetor 2023, Kuvendi miratoi buxhetin e vitit 2024. Megjithatë, në shkurt dhe më pas në gusht 2024, Këshilli i Ministrave miratoi një Akt Normativ për ndryshimin e buxhetit, i cili bie ndesh me angazhimin për të përdorur procesin e rregullt legjislativ për ndryshimet buxhetore”, – thuhet në proges raport.
Po ashtu, Komisionit Europian klima e biznesit pengohet nga një ekonomi e madhe informale. “Ekonomia informale mbetet e përhapur, duke ndikuar në konkurrencën e ndershme mes bizneseve. INSTAT vlerëson se punësimi informal zë 29.4% të punësimit total, pa përfshirë sektorin e bujqësisë”,- thuhet në dokument, duke shtuar se mungesa e efikasitetit në administratën publike, një kuadër rregullator i tepruar dhe korrupsioni paraqesin sfida të mëtejshme për klimën e biznesit. “Korrupsioni vazhdon të paraqesë sfida për bizneset, megjithëse historia e hetimit dhe ndjekjes penale të korrupsionit të nivelit të lartë është përmirësuar paksa”, – shtohet më tej, duke cilësuar sfidë për bizneset edhe mungesën e fuqisë punëtore.
Ndërkaq, sipas raportit është bërë progres në menaxhimin e investimeve publike dhe menaxhimin e financave publike. Po ashtu, politikat makroekonomike vlerësohen sit ë përshtatshme, duke mbështetur stabilitetin dhe rritjen makroekonomike. “Politikat makroekonomike ishin efektive në uljen e ndjeshme të inflacionit duke ruajtur rritjen e fuqishme ekonomike”, – thuhet në raport.
Sa i takon cilësisë së infrastrukturës, vlerësohet rritja e investimeve dhe disa përparime në projektet infrastruktutore. “Shqipëria rriti përpjekjet e saj për të bërë përparim në ndërtimin e rrugëve, veçanërisht në zonat turistike, dhe në projektet e infrastrukturës hekurudhore, duke synuar përmirësimin e lidhjes ndërrajonale dhe infrastrukturës tregtare”, – vlerëson raporti.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.