Kosova importon 1 milion euro energji në ditë – Autoritetet, apel banorëve: Kurseni maksimalisht!
Dorina Kurtaj / SCAN
Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike – KESCO i ka bërë thirrje qytetarëve të kursejnë ‘maksimalisht’ energjinë elektrike, duke njoftuar se 1 milion euro energji po importohet çdo ditë.
Në deklaratën për mediat thuhet se në rëndimin e situatës po ndikon edhe fakti që njësia B1 e KEK-ut është në remont të planifikuar vjetor, duke bërë që prodhimi vendor të reduktohet me së paku 250 MW. Pra, aktualisht Kosova nuk po prodhon më tepër se 500 MW. Ndërsa, diferenca ndërmjet prodhimit dhe kërkesës po mbulohet nga importi. Ndërkohë edhe çmimet e importit janë rritur shumë ditëve të fundit. Në rajon çmimet aktualisht janë mbi 200 euro për megavat. Kjo po e vështirëson shumë situatën pasi duhet blerë energji nga jashtë me kosto të shtuar.
KESCO ka shtuar se si pasojë e të nxehtit ekstrem është rritur kërkesa për furnizim me energji eletrike “për shkak të përdorimit masiv të kondicionorëve kudo në Kosovë.
Sipas të dhënave kërkesa në kohë piku kalon mbi 800 megavat, dukshëm mbi mesataren e kësaj periudhe. KESCO zotohet t’i furnizojë konsumatorët pa ndërprerje me energji elektrike. Por, kërkon nga të gjithë që të kursejnë maksimalisht energjinë elektrike, si një produkt që është jetik për të gjithë sidomos në kohën e kushteve ekstreme atmosferike.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.