Kredia për blerje banese nis rënien – Por, sektori privat është “shtysa” kryesore e kreditimit në shtator
Xhorxhina Deda/SCAN
Kredia e re që ka dhënë sektori bankar gjatë muajit Shtator të këtij viti fiksohet në 28.3 miliardë lekë, tregojnë të dhënat më të fundit nga “Banka e Shqipërisë”. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur kreditë e reja fiksoheshin në 24.8 miliardë lekë, rritja është e ndjeshme, pranë rreth 14%. Nga ana tjetër, krahasuar me muajt Shtator të viteve të mëparshme, shifrat sinjalizojnë se këtë vit kjo vlerë regjistron rekord, duke thyer rekordin e ri të vendosur të njejtin muaj të vitit të kaluar.
Gjatë muajit Shtator, kredia e re për sektorin privat fiksohet pranë 19.7 miliardë lekëve, nga 16.9 miliardë lekë që ishte gjatë Shtator të vitit të kaluar. Rritja vjetore fiksohet pranë 17%, duke reflektuar kështu edhe shtysën kryesore për rritjen e kreditimit. Vlen të theksojmë se krahasuar me të njejtin muaj të viteve të mëparshme, Shatori i këtij viti është pranë rekordit të viti 2017-të, kur kredia e re për sektorin privat fiksohej pranë 20.1 miliardë lekësh.
Sa i përket individëve ndërkohë, kredia e re në Shtator të këtij viti kap vlerën e 8.1 miliardë lekëve, nga 7.8 miliardë lekë që ishte kjo shifër në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja për këtë tregues fiksohet në rreth 4%. Edhe për këtë tregues, Shtatori i vitit aktual regjistron rekord që nga viti 2016-të.
Ndërkohë, nëse i referohemi kredisë re për individë për blerje banese, gjatë Shtatorit fiksohet në 3.8 miliardë lekë, në rënie krahasuar me të njejtin muaj të një viti më parë kur regjistrohej në 4.1 miliardë lekë.
Nga ana tjetër, për sa i përket 9 muajve të këtij viti vëmë re një rekord historik. Gjatë kësaj periudhe kredia e re arriti në rreth 280.7 miliardë lekë, ose një rritje prej gati 30%, krahasuar me të njejtën periudhë të vitit të kaluar.
Në të gjitha publikimet e fundit, Banka e Shqipërisë ka theksuar rritjen e lartë të kredisë, sidomos për blerjese banese.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.