Kriza frenon kërkesën për konsum – 7-mujori/ U paguan 900 milionë euro më shumë, për 10 % më pak mallra
Konflikti Rusi-Ukrainë ka sjellë një ridimensionim të tregjeve ndërkombëtare si dhe një rritje të lartë çmimesh për konsumatorët finalë. Rritje kjo e shtrirë thuajse në të gjitha mallrat dhe shërbimet. Por si ka rezultuar ky vit krize sa i takon importeve në vendin tonë?
Referuar të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, përgjatë 7 mujorit të parë të vitit, totali i importeve regjstrohet në afro 3 milionë ton në sasi, me një vlerë prej 529 miliardë lekësh, apo e kthyer në valutë, në rreth 4.5 miliarë euro.
Ajo që vihet re në krahasim me të njëjtën perudhë të një viti më parë është se rritja e çmimeve me sa duket ka frenuar kërkesën vendase për mallra, pasi volumi i importeve ka pësuar rënie të ndjeshme, ndërsa në të kundërt ka ndodhur me vlerën e paguar. Rritja e lartë e çmimeve ka bërë që për një sasi më të vogël, e cila regjistrohet në nivelin -10.1 për qind në raport me 7-mujorin 2021, të paguhet më shumë 25 për qind më shumë në vlerë. Konkretisht importet gjatë 7 mujorit 2021 rezultuan në 3.36 milion ton në sasi dhe afro 428 miliardë lekë apo 3.6 miliardë euro.
Kjo rritje e çmimeve ka ndikuar ndjeshëm edhe në perfomancën poztive të mbledhjes së të ardhurave në buxhetin e shtetit, ku Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, të cilën e paguan konsumatori, ka pasur rritjen më të fortë.
Referuar treguesve fiskale, vetëm nga TVSH-ja në import në 7 mujor, u arkëtuan në total 86,1 miliardë lekë, me një rritje të konsiderueshme prej 17.8 miliardë lekë krahasur me korrik 2021 dhe 8.1 për qind më shumë se plani.
Elisabeta Dosku / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.