Kushte të reja për stacionet e plazhit – Rregullorja, menaxhimi i hapësirave publike dhe kriteret për subjektet aplikues
Ernilda Luzi/ Scan
Këshilli i Ministrave ka miratuar rregulloren “Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”, i publikuar në Fletoren Zyrtare.
Kjo rregullore përcakton kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacioneve të plazhit në të gjitha zonat bregdetare, si dhe në bregun e liqeneve e të lumenjve, të cilat janë identifikuar si zona të përshtatshme për plazhe, me qëllim ofrimin e kushteve të përshtatshme e të standardeve cilësore për pushuesit.
Në rregullore është përcaktur përdorimi i hapësirave publike. Hapësirat e plazheve të lejuara, të cilat nuk janë dhënë në përdorim për ushtrimin e veprimtarisë së stacionit të plazhit janë për përdorim publik dhe administrohen, menaxhohen e mirëmbahen nga njësia e vetëqeverisjes vendore.
Ndërkohë, ndarja e sipërfaqes së plazhit të lejuar, si plazh privat/publik, do të kryhet sipas gjatësisë në vijë lineare të hartës, duke ruajtur raportin 300 m hapësirë publike për çdo 1000 m vijë plazhi. Njësitë lokale do përgatisin hartat që tregojnë hapësirat për stacionet, plazhet publike, dhe zonat për notim.
Komiteti i Menaxhimit të Sezonit Turistik (KMS) që kryesohet nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit dhe në përbërje të tij ka në përbërje përfaqësues të nivelit të lartë, të cilët do të monitorojnë mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Njësitë e vetëqeverisjes vendore NJVV-ja, në rast se menaxhon hapësira të konsiderueshme, si plazhe publike, garanton kushtet minimale të stacioneve të plazhit, sipas tipologjisë dhe kërkesave të sigurisë, të parashikuar në këtë rregullore. Pjesa tjetër e plazhit publik mirëmbahet nga NJVV-ja, duke siguruar vendosjen e tabelave informuese, sipas parashikimeve të kësaj rregulloreje.
Gjithashtu në rregullore bëhen të ditur dhe kriteret për stacionet e plazhit. Subjektet që dëshirojnë të ushtrojnë veprimtarinë, duhet të plotësojnë një sërë kriteresh. Këto përfshijnë regjistrimin si person fizik ose juridik dhe disponimin e një strukture akomoduese të kategorizuar që përputhet me normat ligjore.
Subjektet aplikojnë në portalin “e-Albania” duke paraqitur dokumentacionin e nevojshëm, dhe duhet të kalojnë dy faza aplikimi për të marrë lejen për të përdorur hapësirën e plazhit.
Ndërkaq, sipas rregullores së publikuar në fletoren zyrtare, stacionet e plazhit do të jenë të detyruara të ofrojnë shërbime të caktuara, duke u garantuar pushuesve siguri dhe kushtet higjienike. Çdo stacion plazhi do të ketë vrojtues për çdo 80 m vijë bregdetare. Rregullorja parashikon ndëshkime për subjektet që shkelin kushtet e përcaktuara.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.