Europa Postuar më 4 Korrik 2026, 11:07

Presidenca e Irlandës në BE: Ekonomia dhe Ukraina në fokus/ Priten negociata shumë të vështira për buxhetin europian trilionësh

Nga Scan TV

Presidenca e Irlandës në BE: Ekonomia dhe Ukraina në fokus/

Për herë të tetë që nga anëtarësimi në vitin 1973, Irlanda mori që nga 1 korriku  Presidencën e radhës së Këshillit të Bashkimit Evropian.

Kryeministri Micheál Martin theksoi gjatë ceremonisë në Dublin se irlandezët i detyrohen shumë anëtarësimit të tyre në BE. Sipas tij, shndërrimi i Irlandës në një ekonomi dhe shoqëri moderne e të hapur është i lidhur ngushtë me anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, Irlanda do të drejtojë mbledhjet e Këshillit të BE-së – organit legjislativ të Bashkimit Evropian ku përfaqësohen 27 shtetet anëtare. Motoja e saj është: Nuk ka forcë pa unitet.

Irlanda synon të lërë gjurmë veçanërisht në fushat e konkurrueshmërisë, mbrojtjes së vlerave të BE-së dhe sigurisë. Në krye të listës së prioriteteve janë: ndalimi i përdorimit të rrjeteve sociale për të rinjtë nën moshën 16 vjeç, avancimi i diskutimeve për buxhetin e BE-së pas vitit 2028 dhe nxitja e Bashkimit të Tregjeve të Kapitalit. Po ashtu, mbështetja për Ukrainën mbetet një objektiv kryesor i presidencës irlandeze. Si shenjë e veçantë solidariteti, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyi u ftua në ceremoninë e hapjes në Dublin.

Për të forcuar konkurrueshmërinë, qeveria irlandeze synon të avancojë strategjinë e BE-së "Një Evropë, një treg”. Nën këtë slogan, Bashkimi Evropian ka vendosur si objektiv përfundimin e tregut të përbashkët deri në fund të vitit 2027.

Deri në fund të vitit synohet gjithashtu arritja e një marrëveshjeje politike për buxhetin e ardhshëm të BE-së. Sipas Micheál Martin, pozicionet aktuale të shteteve anëtare, të cilat mbulojnë pjesën më të madhe të buxhetit me kontributet e tyre, janë ende shumë larg njëra-tjetrës.

Buxheti duhet të finalizohet deri në fund të vitit 2027, pasi do të mbulojë periudhën 2028–2035. Për arsye politike, siç janë zgjedhjet e ardhshme në Francë, në Bruksel ekziston një konsensus i gjerë që negociatat të përfundojnë brenda këtij viti.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat