Shqipëria Postuar më 9 Qershor 2026, 13:08

Arsimi profesional synon të zgjerohet - Rama: Pagat e punonjësve në turizëm, njësoj me Greqinë dhe Kroacinë

Nga Fabjona Pasho

Arsimi profesional synon të zgjerohet - Rama: Pagat e punonjësve

Kryeministri Edi Rama deklaroi se arsimi profesional në vend ka pësuar një transformim të rëndësishëm gjatë viteve të fundit. Në Konferencën e 3-të Kombëtare të Arsimit dhe Formimit Profesional, Rama tha se objektivi i qeverisë është që në të ardhmen një në tre nxënës të ndjekë këtë rrugë arsimimi.

“Sot është një ditë e rëndësishme, pasi 3 500 maturantë të arsimit profesional po zhvillojnë provimet e tyre. Është gjithashtu një ditë kur bilanci i deritanishëm është domethënës dhe shumë inkurajues.

Kur e nisëm këtë rrugë, gjetëm një arsim profesional të degraduar dhe të padobishëm për të rinjtë, të cilët nuk gjenin aty kushtet e nevojshme për të mësuar zanatin e tyre. Nuk kishte laboratorë, mungonin kushtet minimale infrastrukturore dhe nuk ekzistonte asnjë lidhje mes arsimit profesional dhe tregut të punës.

Sot situata është krejt ndryshe. Të rinjtë që zgjedhin arsimin profesional përbëjnë 20% të nxënësve dhe kjo është vetëm një fazë, pasi synimi ynë është që një në tre nxënës të zgjedhë arsimin profesional”, tha Rama.

Më tej, kryeministri tha se investimet e mëdha të huaja nuk kanë si qëllim të marrin punonjës të huaj, me kosto të ulëta.

“Ideja që resortet janë për të pasurit ose për punonjësit nga Filipinet e Bangladeshi, sepse paguhen më pak, është një ide që nuk ka lidhje me realitetin.

Së pari, nuk kemi një numër të lartë investitorësh në turizëm. Vetëm së fundmi ka nisur një interesim, i cili lidhet me suksesin e turizmit. Më parë kishte pothuajse zero interes. Shqipëria dhe natyra shqiptare ishin po aq të bukura sa janë sot, por nuk kishte interes për të investuar. Pavarësisht problematikave dhe mangësive që ka pasur zhvillimi i ndërtimit në turizëm, gjërat janë përmirësuar. Kostot e ndërtimit janë rritur dhe po ashtu janë rritur edhe çmimet.

Nuk ka në Shqipëri investime hotelerie ku paga e punonjësve të jetë më e ulët sesa në Greqi apo në Kroaci”, tha kryeministri.

Ndërkaq, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj tha se vendi ka nevojë për forcë punëtore të qëndrueshme.

“Investitorët nuk pyesin më vetëm për taksat, tokën apo infrastrukturën. Një nga pyetjet e para që bëjnë është nëse do të gjejnë njerëzit që u duhen. Pikërisht këtu fitohet ose humbet gara për investime. Kapitali njerëzor mbetet avantazhi më i qëndrueshëm konkurrues që një ekonomi mund të ndërtojë”, tha Ministrja.

Aktualisht, mbi 17 mijë të rinj ndjekin arsimin profesional në 31 shkolla publike në të gjithë vendin.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat