Shqipëria Postuar më 21 Korrik 2026, 11:11

Bankat mbeten të kujdesshme me bizneset - BSH: Rritja e kërkesës për financim nuk është shoqëruar me më shumë miratime kredish

Nga Ledina Elezi

Bankat mbeten të kujdesshme me bizneset - BSH: Rritja e kërkesës

Në ndryshim nga individët, bankat janë treguar më “të rrepta” në dhënien e kredive ndaj bizneseve gjatë tremujorit të dytë. Standardet e kreditimit mbetën thuajse të pandryshuara në kreditë për biznesin e madh, për mbulimin e nevojave për likuiditet dhe financimin e investimeve, por u lehtësuan disi në kreditë për biznesin e vogël e të mesëm.

Kostot dhe kufizimet më të ulëta nga bilanci dhe konkurrenca në sistem bankar ndikuan në lehtësimin e standardeve, teksa në kahun shtrëngues ndikuan faktorët e lidhur me perceptimin e rrezikut nga ana e bankave.

Ky lehtësim i standardeve të kreditimit për biznesin e vogël e të mesëm pritet të vijojë në tremujorin e tretë, ndërsa do të mbeten të pandryshuara për biznesin e madh.

Nga ana tjetër, kushtet dhe termat e përgjithshëm mbi kreditë e reja disbursuar bizneseve nuk ndryshuan në tremujorin e dytë. Marzhet e aplikuara mbi kreditë me rrezik u raportuan më të larta, por balanca neto e këtij treguesi ishte më e ulët se tremujorët e tjerë.

Në gjykimin e bankave, trysnia e shtuar nga konkurrenca në sistem bankar, i ka bërë ato të shfaqin një tolerancë më të lartë kundrejt marrjes përsipër të rrezikut. Të dy këta tregues, ndonëse me balanca neto minimale, mbështetën pozitivisht kushtet dhe termat e kreditimit për bizneset.

Ndërsa kërkesa për kredi e bizneseve u raportua në rritje, shkalla e miratimit u raportua e pandryshuar në tremujorin e dytë.

Rritja e kërkesës për kredi u mbështet nga nevojat më të larta për financimin e investimeve dhe inventarëve të kapitalit qarkullues. Po ashtu, në gjykimin e bankave, treguesit e besimit të biznesit dhe niveli i përgjithshëm i normave të interesit ishin faktorë që mbështetën zgjerimin e kërkesës për kredi në këtë tremujor. Nga ana tjetër, situata aktuale ekonomike dhe pritjet për të, si dhe përdorimi i burimeve të brendshme të financimit ndikuan në kahun rënës të kërkesës për kredi të bizneseve në tremujorin e dytë.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat