Shqipëria Postuar më 21 Korrik 2026, 15:42

Në çfarë faze të prodhimit ushtarak është Shqipëria? - Ministria e Mbrojtjes: Është proces shumë kompleks. Çdo produkt kërkon licencim

Nga Ledina Elezi

Në çfarë faze të prodhimit ushtarak është

Në fund të vitit pritet të bëhen dorëzimi i porosive të para të municioneve sipas kontratave që Ministria e Mbrojtjes ka me partnerët e saj. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, procesi i prodhimit ushtarak është shumë kompleks, pasi çdo produkt kërkon licencim, ndërsa edhe konflikti në Lindjen e Mesme ka ndikuar në ndërprerjen e zinxhirëve të furnizimit.

“Vështirësitë që kemi pasur kohët e fundit me ardhjen e mallrave, ardhjen e linjave të prodhimit, montimin e linjave të prodhimit dhe vendosjen në punë të fabrikave ka spostuar pak afatet, por kjo nuk do të thotë që nuk do të respektohen sipas kontratave”, theksoi Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi.

“Ky është një proces shumë kompleks, parë nga këndvështrimi i Agjencisë, ne i ndjekim në procesin e licencimit, pra çdo hap, çdo zhvillim që bën industria, ka disa standarde të caktuara të cilat duhen plotësuar, ka edhe disa kritere ligjore të cilat duhet t'i plotësojmë. Brenda 2026, nëntor-dhjetor synohet që të bëhet dorëzimi i porosive të para sipas kontratave të obliguara me Ministrinë e Mbrojtjes. Gjithashtu, mjetet taktike të lehta, mjetet taktike të mesme dhe të rënda, pritet të dorëzohen brenda vitit 2026, pra me spostim disamujor. Kontratat janë disavjeçare, nuk përfundojnë në 2026, lëvrimi fillon brenda këtij viti, por ata do të vijojnë sipas kushteve të kontratës në 2027 dhe më tej”, tha Dorian Tola.

Drejtori i Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes, Dorian Tola u shpreh se 5 licenca janë dhënë për prodhimin e produkteve ushtarake, ndërsa në total janë 16 licenca, shumica për tregtimin e tyre.

“Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes, deri tani, ka dhënë 5 licenca për prodhim dhe demilitarizim për 5 kompani të cilat janë krijuar me partneritet KAYO dhe partneritet privat vendas. Jemi në pritje edhe të një kompanie tjetër, Fincantier-i, që sapo të regjistrohet do të bëhet me dije si joint venture, si bashkëpunim zyrtar konkret. Gjithsej, ne kemi dhënë 16 licenca, kjo është për t'ju thënë se disa licenca janë licenca tregtie. Ato u janë dhënë kompanive shqiptare që merren vetëm me tregti”, tha Tola.

Lidhur me zjarret, Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile u shpreh se këtë verë vendi zotëron kapacitete të plota për të përballuar çdo emergjencë në këtë drejtim.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat