Shqipëria Postuar më 10 Qershor 2026, 11:55

Bordi i Transparencës publikon çmimet e reja të karburanteve: Nafta zbret në 188 lekë/litër

Nga Edel Strazimiri

Bordi i Transparencës publikon çmimet e reja të karburanteve:

Bordi i Transparencës ka miratuar këtë të mërkurë çmimet e reja të shitjes së karburanteve në tregun vendas, të cilat do të hyjnë në fuqi më 10 qershor, duke nisur nga ora 14:00.

Sipas vendimit të bordit, çmimi maksimal i shitjes me pakicë për gazoilin e standardit SSH EN 590 është përcaktuar në 188 lekë për litër, ndërsa për shitjen me shumicë në 176 lekë për litër.

Ndërkohë, benzina do të tregtohet me një çmim maksimal prej 171 lekësh për litër në shitjen me pakicë dhe 159 lekë për litër në shitjen me shumicë.

Autoritetet bëjnë të ditur se këto çmime do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës, ku do të reflektohen luhatjet e reja të tregut të hidrokarbureve.

Bordi u ka rikujtuar operatorëve që ushtrojnë aktivitet në tregtimin me shumicë dhe pakicë të karburanteve detyrimin për zbatimin e vendimit, duke paralajmëruar masa administrative ndaj çdo subjekti që nuk respekton çmimet e miratuara.

Sipas njoftimit zyrtar, në rast të konstatimit të shkeljeve, autoritetet mund të vendosin deri në pezullimin e aktivitetit të operatorëve përgjegjës.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë theksojnë se mbeten të angazhuara për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në tregun e karburanteve.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat