Shqipëria Postuar më 10 Qershor 2026, 11:20

Industria shqiptare larg inovacionit europian - Pak para për kërkim shkencor, shkëputje nga prodhimi

Nga Diamila Leka

Industria shqiptare larg inovacionit europian - Pak para për kërkim

Inovacioni mbetet një nga sfidat kryesore të industrisë shqiptare. Strategjia Kombëtare Industriale 2026–2030 evidenton se shpenzimet për kërkim dhe zhvillim janë vetëm 0.30% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, shumë larg mesatares së Bashkimit Europian prej 2.24%. Objektivi i vendosur është që deri në vitin 2030 ky tregues të arrijë të paktën në 1% të PBB-së.

Dokumenti thekson gjithashtu se sistemi i inovacionit në Shqipëri karakterizohet nga një shkëputje e fortë mes kërkimit shkencor dhe sektorit prodhues. Kjo kufizon transferimin e teknologjisë, komercializimin e njohurive dhe aftësinë e ndërmarrjeve për të kaluar drejt produkteve me vlerë më të lartë.

Në strategji parashikohet forcimi i bashkëpunimit mes industrisë dhe kërkimit shkencor, përmes qendrave të transferimit të teknologjisë, projekteve të kërkimit të aplikuar dhe skemave të bashkëfinancimit. Një tjetër objektiv është rritja e pjesëmarrjes së sektorit privat në inovacion, pasi financimi nga bizneset mbetet ende i kufizuar.

Një element i fortë i dokumentit është edhe pjesëmarrja e ulët në programet evropiane. Strategjia evidenton se për vitin 2026 nuk ka pasur asnjë aplikim nga Shqipëria në Horizon Europe. Kjo tregon se sfida nuk lidhet vetëm me mungesën e fondeve, por edhe me kapacitetet për të përgatitur projekte konkurruese dhe për të përthithur financime ndërkombëtare.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat