Shqipëria Postuar më 24 Korrik 2026, 19:37

Grant mbi 17 mln euro për zgjerimin e ngrohjes qendrore/ Kosova, dritë jeshile marrëveshjes me Bankën Evropiane për Investime

Nga Scan TV


Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Grantit me Bankës Evropiane për Investime, për Projektin e Zgjerimit të Sistemit të Ngrohjes Qendrore në Prishtinë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se bëhet fjalë për një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në sektorin e energjisë, i cili parashikohet të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
“Me këtë nismë hapim rrugën për lidhjen e marrëveshjes së grantit midis Republikës së Kosovës, ‘Termokosit’ dhe Bankës Evropiane për Investime, duke siguruar mbështetje financiare për realizimin e këtij projekti me ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë dhe mirëqenien e jetës së qytetarëve”- tha Kurti.
Ndërkohë, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, bëri të ditur se granti është në vlerën prej 17.2 milionë eurosh.

“Marrëveshja parashikon marrjen e një granti në vlerë prej 17.2 milionë euro për financimin e këtij projekti. Projekti, pritet të përmirësojë cilësinë dhe sigurinë e furnizimit me ngrohje, të zgjerojë mbulueshmërinë e rrjetit për mbi 50% të kërkesës për ngrohje në Prishtinë, si dhe do të kontribuojë në uljen e ndotjes së ajrit përmes reduktimit të përdorimit të energjisë elektrike dhe lëndëve të tjera djegëse për ngrohje” - tha Murati.
Ndërkohë, po në mbledhjen e kësaj të premteje, qeveria  nq detyrë e Kosovës dha pëlqimin edhe për Marrëveshjen Ndërkombëtare me Bashkimin Evropian për pjesëmarrjen në zonën “EU Roam Like Home”, një hap i domosdoshëm për zbatimin e plotë të legjislacionit evropian të roaming-ut.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat