Shqipëria Postuar më 9 Korrik 2026, 11:23

Hidrokarburet, telefonia dhe spitalet private në hetim - Kuvendi i kërkon Autoritetit të Konkurrencës verifikim të praktikave antikonkurruese

Nga Ledina Elezi

Hidrokarburet, telefonia dhe spitalet private në hetim - Kuvendi i

Nga hidrokarburet, shërbimet spitalore private, sigurimet, shërbimet televizive me pagesë dhe platformat OTT/IPTV, te shërbimet celulare, Kuvendi i Shqipërisë i ka kërkuar Autoritetit të Konkurrencës që të kryejë hetime për abuzime të mundshme në këto tregje.

Konkretisht, në rezolutën e publikuar në Fletoren Zyrtare, Autoritetit të Konkurrencës i rekomandohet që të hetojë tregun e hidrokarbureve duke analizuar strukturën e tregut, zinxhirin e furnizimit, formimin e çmimeve, rolin e ndërmjetësve tregtarë dhe sjelljen e operatorëve. Një raport mbi gjetjet dhe rezultatet e këtij hetimi duhet t'i paraqitet Kuvendit brenda muajit shtator 2026.

Një rekomandim tjetër lidhet me vijimin e monitorimit të tregut të shërbimeve celulare, me fokus në strukturën duopolistike të tregut, sinkronizimin e çmimeve, ngjashmërinë e ofertave, transparencën e metodologjisë kosto-çmim dhe aplikimin e klauzolave të indeksimit me inflacionin. Për sa i përket hetimit të thelluar që u hap në nëntor të vitit të kaluar ndaj Vodafone Albania sh.a. dhe One Albania sh.a. në tregun me pakicë të shërbimeve celulare, Autoriteti duhet të raportojë në Kuvend mbi gjetjet, masat e ndërmarra dhe efektet për konkurrencën efektive dhe mbrojtjen e konsumatorit. Një raport mbi gjetjet dhe rezultatet e këtij procesi duhet t'i paraqitet Kuvendit brenda muajit nëntor 2026.

Zhvillimi i tregut të shërbimeve spitalore private duhet gjithashtu të vijojë të monitorohet, duke analizuar nëse ka elemente të abuzimit me pozitën dominuese në treg, si dhe duke verifikuar nëse niveli i formalizimit, gjurmueshmëria e shërbimeve dhe pagesave, transparenca e tarifave dhe kontrolli rregullator janë të mjaftueshme për të parandaluar çmimet e tepruara dhe kufizimin e ofertës.

Së fundi, Kuvendi i Shqipërisë i kërkon po ashtu Autoritetit të Konkurrencës të kryejë sa më parë një hetim të tregut të shërbimeve televizive me pagesë dhe platformave OTT/IPTV, duke analizuar strukturën e tregut, marrëdhëniet ndërmjet operatorëve, paketat e kanaleve dhe përdorimin e të drejtave ekskluzive të transmetimit. Hetimi të zhvillohet brenda afateve procedurale dhe me ritëm të përshpejtuar, në mënyrë që ndërhyrja e Autoritetit të mos humbasë efektivitetin dhe të parandalojë në kohë konsolidimin e praktikave të mundshme antikonkurruese në treg. Një raport mbi gjetjet dhe rezultatet e këtij hetimi të paraqitet në Kuvend brenda muajit tetor 2026.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat