Analiza Postuar më 9 Korrik 2026, 10:15

Peshku dhe perimet rrisin faturën e ushqimeve në qershor/ Shtrenjtimi i ushqimeve mban presion mbi buxhetet familjare

Nga Xhorxhina Deda

Peshku dhe perimet rrisin faturën e ushqimeve në qershor/ Shtrenjtimi

Ushqimet ishin faktori kryesor që mbajti lart inflacionin në muajin qershor, duke dhënë ndikimin më të madh në rritjen vjetore të çmimeve të konsumit. Sipas INSTAT, grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” kontribuoi me 1.02 pikë përqindje në inflacionin vjetor, më shumë se çdo grup tjetër i shportës së konsumit.

Në total, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rritën me 3% krahasuar me qershorin e vitit të kaluar, në një muaj kur inflacioni i përgjithshëm arriti në 3.2%. Kjo tregon se presioni mbi çmimet vijon të ndihet fort te produktet bazë që zënë pjesën më të madhe të shpenzimeve të përditshme të familjeve.

Brenda grupit të ushqimeve, rritja më e lartë u regjistrua te peshku dhe produktet e tjera të detit, me 9%. Pas tyre renditen perimet, zhardhokët dhe bishtajoret, të cilat u shtrenjtuan me 8.5% krahasuar me një vit më parë.

Rritje të ndjeshme pati edhe te produktet e mishit. Kategoria “kafshë të gjalla, mish dhe pjesë të tjera nga kafshë tokësore të therura” u rrit me 3.7%, ndërsa mishi i freskët, i ftohur ose i ngrirë kushtoi 4.2% më shumë se në qershor 2025.

Edhe produktet e tjera ushqimore u shtrenjtuan, por me ritme më të moderuara. Pijet joalkoolike u rritën me 2.9%, sheqeri, ëmbëlsirat dhe produktet e pastiçerisë me 2.5%, ndërsa qumështi, produktet e bulmetit dhe vezët me 2.4%. Drithërat dhe produktet me bazë drithërash patën një rritje më të lehtë, prej 0.9%.

Nga ana tjetër, frutat e freskëta dhe të thata ishin ndër të paktat produkte me ulje çmimi, duke rënë me 2.8% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Kjo rënie ka zbutur pjesërisht shtrenjtimin e shportës ushqimore, por jo mjaftueshëm për të ndryshuar prirjen e përgjithshme.

Të dhënat tregojnë se inflacioni i ushqimeve nuk është i përqendruar vetëm te një produkt, por prek disa kategori të rëndësishme të konsumit të përditshëm. Për familjet, kjo do të thotë se rritja e çmimeve ndihet më fort pikërisht në blerjet bazë si ushqime, mish, peshk dhe perime.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat