Shqipëria Postuar më 8 Korrik 2026, 12:36

“Rivlerësimi me 5% rikthen pronat në treg” - Eksperti: Aplikoni sa më shpejt, fundi i vitit do të ketë dyndje kërkesash

Nga Ledina Elezi

“Rivlerësimi me 5% rikthen pronat në treg” - Eksperti:

Më shumë kursim, një numër më i madh pronash në treg dhe më tepër mundësi për ata që duan të blejnë një shtëpi me kredi, janë vetëm disa prej përfitimeve që sjell procesi i rivlerësimit të pronave tashmë me 5% nga 15% që ishte më parë. Kështu është shprehur eksperti i pasurive të paluajtshme Ervin Demerxhiu, në një intervistë për Televizionin SCAN, i cili theksoi ndër të tjera se shteti po ashtu mbledh më tepër fonde nga ky proces.

“Përfitimet janë realisht goxha të mëdha. Përfituesit kryesorë kanë qenë pikërisht personat që e kanë shitur tani dhe kanë ndjerë vërtet kursimin, sepse nëse shesim një pronë në kohë normale paguajmë 15% dhe nëse bëjmë rivlerësimin sot paguajmë vetëm 5%. Përfitimet janë që kanë dalë në treg prona që nuk dilnin prej vitesh në treg. Nuk dilnin prej vitesh, sepse kishin një një barrë goxha të lartë të taksës. Pikërisht kjo barrë takse nuk i bënte të dilnin në treg, sepse nuk ishin konkurruese dhe klientët nuk e shikonin të arsyeshme t'i shisnin. Gjithashtu, pikërisht këto prona i kanë dhënë mundësi shumë personave të blejnë me kredi, sepse janë prona që kanë mundësi të lihen kolateral. Ka pasur goxha persona që kanë përfituar një kredi të butë, një kredi normale që mund t'i blenë këto prona, ndryshe nga një pronë që është në ndërtim dhe që nuk e lë dot kolateral”, tha eksperti.

Pavarësisht se afati i fundit për rivlerësimin e pronave është data 31 dhjetor, eksperti i bën thirrje të gjithë qytetarëve që kanë një pronë për të rivlerësuar, që ta kryejnë atë sa më shpejt, me qëllim që të shmangen problematikat që sjell fluksi i aplikimeve në ditët e fundit.

“Bëjmë dhe një thirrje për qytetarët. Ne e kemi zakon faktikisht që i lëmë për në fund të vitit dhe faktikisht afati i fundit për aplikim është 31 dhjetor, por mos i lëmë për në fund, sepse shpeshherë kemi parë në rivlerësimin e parë që fundi i procesit ka pasur problematika. Duke qenë se ka një dyndje kërkesash, aplikimesh, ka pasur bllokime dhe shumë qytetarë në fund kanë ngelur pa i bërë dot aplikimet”, u shpreh Demirxhiu.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi pak ditë më parë se 104.3 milionë euro është kostoja fiskale e kursyer nga tatimpaguesit gjatë periudhës Mars - Qershor 2026, falë rivlerësimit të pasurive të paluajtshme.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat