Bota Postuar më 8 Korrik 2026, 11:04

Armëpushimi i SHBA-së me Iranin po lëkundet - Valë e re sulmes, Rutte: Sulmet janë të nevojshme

Nga Alida Lula

Armëpushimi i SHBA-së me Iranin po lëkundet - Valë e re

Udhëheqësit evropianë të NATO-s synojnë të bindin Donald Trump të riangazhohet ndaj aleancës ushtarake, pasi Presidenti i SHBA-së ringjalli mosmarrëveshjet mbi luftën e Iranit dhe Groenlandën dhe nisi një valë të re sulmesh ndaj Iranit.

Me të mbërritur në kryeqytetin turk, Trump kritikoi ashpër aleatët që nuk mbështetën SHBA-në në luftën me Iranin dhe tha se mund ta kishte bojkotuar takimin nëse nuk do të kishte qenë miqësia e tij me organizatorin, Presidentin Tayyip Erdogan.

Më pas, SHBA-të ndërmorën sulme të reja ushtarake ndaj Iranit dhe revokuan një licencë që i lejonte Iranit të shiste naftë në përgjigje të sulmeve ndaj tre anijeve cisternë. Kjo ishte goditja e fundit ndaj një marrëveshjeje të brishtë armëpushimi në një luftë që është thellësisht jopopullore në Evropë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i mbrojti sulmet e reja të SHBA-së si "absolutisht të nevojshme" dhe e minimizoi zhgënjimin e Trump me aleatët si "raste të izoluara".

"Kur ke një armëpushim dhe Irani në thelb po e shkel armëpushimin, mendoj se është absolutisht e rëndësishme që SHBA-të të reagojnë me forcë", -tha Rutte.

NATO të martën ishte përpjekur të tregonte se anëtarët e saj evropianë po i kushtonin vëmendje thirrjeve të Trump për të shpenzuar më shumë për mbrojtjen e tyre dhe për t'u mbështetur më pak te SHBA-ja, duke zbuluar një sërë marrëveshjesh armësh me vlerë të paktën 50 miliardë dollarë.

Trump, i cili e ka kritikuar ashpër NATO-n gjatë mandatit të tij të parë dhe të dytë në detyrë, tha se ishte “shumë i zhgënjyer” me aleancën dhe se SHBA-të nuk u “trajtuan mirë” gjatë luftës SHBA-Izrael kundër Iranit.

“Pse po shpenzojmë qindra miliarda dollarë dhe ata nuk janë aty për ne? Ne gjithmonë kemi qenë aty për ta” -tha Trump përkrah Erdoganit.

Trump ka akuzuar vendet evropiane se nuk kanë lejuar forcat amerikane të përdorin hapësirën e tyre ajrore dhe bazat në territoret e tyre gjatë luftës.

Zyrtarët evropianë kanë thënë se ata kryesisht i kanë respektuar angazhimet e tyre ndaj forcave amerikane, pavarësisht se nuk janë konsultuar në lidhje me një konflikt që i ka trazuar ekonomitë e tyre.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat