Shqipëria Postuar më 11 Qershor 2026, 16:25

'Shteti ka fituar të gjitha betejat gjyqësore' - Malaj: Çështja “Bankers” e trajtuar me kronologji të plotë ligjore

Nga Edel Strazimiri

'Shteti ka fituar të gjitha betejat gjyqësore' - Malaj:

Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka paraqitur në mënyrë kronologjike ecurinë e çështjes së kompanisë Bankers Petroleum Albania, duke theksuar se procesi duhet kuptuar në tërësi përpara çdo konkluzioni mbi detyrimet financiare.

Sipas ministrit, marrëveshja fillestare për shfrytëzimin e vendburimit Patos-Marinëz u nënshkrua në qershor 2004 për një afat 25-vjeçar dhe parashikonte lehtësira fiskale, përfshirë përjashtime nga akciza për produktet e përdorura në proceset e nxjerrjes së naftës bruto, të vlefshme deri më 1 prill 2014.

Pas ndryshimeve fiskale të kësaj date, këto përjashtime u hoqën dhe administrata doganore nisi interpretimet dhe kontrollet mbi produktet e përdorura, përfshirë holluesin (diluentin), i cili u bë objekt i mosmarrëveshjeve me kompaninë.

Në shtator 2014, Dogana njoftoi një detyrim prej 589 milionë lekësh për akcizë të papaguar, i cili u kundërshtua nga kompania në gjykatë, duke hapur një proces gjyqësor që zgjati rreth 10 vjet deri në Gjykatën e Lartë.

Në mars 2022, Gjykata e Lartë i dha të drejtë administratës doganore për të vjelë akcizën mbi produktet e përdorura në proceset hidrokarbure.

Paralelisht, në vitin 2019 u krye një kontroll tjetër, ku u vendos një detyrim i ri prej 3.09 miliardë lekësh dhe një gjobë rreth 9 miliardë lekësh, në total 12.48 miliardë lekë, i cili u pezullua për shkak të proceseve gjyqësore në vijim.

Në vitin 2021, çështja u përfshi edhe në një proces arbitrazhi ndërkombëtar, i cili në qershor 2024 i dha të drejtë shtetit shqiptar. Ky vendim u konfirmua më tej në dhjetor 2024 nga gjykatat ndërkombëtare, duke riafirmuar pozicionin e shtetit.

Në shtator 2025, administrata doganore rifilloi procedurat për ekzekutimin e detyrimeve, ndërsa kompania kërkoi sërish masa pezullimi në gjykatat shqiptare deri në dhjetor 2025, kur gjykatat i dhanë të drejtë autoriteteve shtetërore për vijimin e ekzekutimit.

Sipas ministrit, pas këtij vendimi nisi faza e mbledhjes së detyrimeve, ndërsa kompania nuk dispononte shumën e plotë prej rreth 120 milionë eurosh në llogaritë bankare për bllokim të menjëhershëm.

Aktualisht, sipas Ministrisë së Financave, është arritur një marrëveshje për shlyerjen e detyrimit prej rreth 3 miliardë lekësh (rreth 30 milionë euro), e cila po paguhet me këste sipas një skeduli të dakordësuar, duke nisur me pagesa mujore nga 350 mijë deri në 973 mijë dollarë.

Ministri Malaj theksoi se kjo çështje është rezultat i një procesi të gjatë ligjor dhe institucional, gjatë të cilit shteti shqiptar ka mbrojtur interesat e tij si në gjykatat vendase ashtu edhe në ato ndërkombëtare, duke fituar në të gjitha shkallët kryesore të shqyrtimit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat