Shqipëria Postuar më 8 Qershor 2026, 10:48

Tirana Grand Prix, gara e makinave retro në kryeqytet - Drejtori i DPSHTRR, Bajraktari: Synojmë promovimin e trashëgimisë automobilistike

Nga Ledina Elezi

Tirana Grand Prix, gara e makinave retro në kryeqytet - Drejtori i DPSHTRR,

Është zhvilluar për të tretin vit radhazi Tirana Grand Prix, eventi më i madh në Shqipëri dedikuar automjeteve historike RETRO. Ky aktivitet u organizua nga Old Cars Club, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR).

Drejtori i DPSHTRR, Kreshnik Bajraktari u shpreh se kjo nuk është një garë shpejtësie, por një garë rregullsie, ku fiton ekuipazhi me devijimin më të vogël nga koha e përcaktuar. Ai theksoi se pas eventit, qytetarët kishin mundësi të vizitonin nga afër dhe të bisedonin me koleksionuesit e këtyre makinave mbi historinë e blerjes apo restaurimit.

“E veçanta e këtij viti është që në këtë edicion të tretë, po organizohet gara e rregullsisë ëarm up, ajo që quhet ndryshe gara kualifikuese, në të cilën kanë marrë pjesë të apasionuar për automjetet historike jo vetëm nga Shqipëria, por gjithashtu edhe nga rajoni. Kjo është një garë rregullsie në të cilën kanë marrë pjesë rreth 36 automjete, ku çdo automjet është i përbërë nga piloti dhe co-piloti. Ky event nuk ka për qëllim thjesht organizimin e garës, por ka për qëllim dhe rritjen apo promovimin e mjeteve historike retro në Shqipëri”, tha Bajraktari.

Tirana Grand Prix solli në rrugët e Tiranës makina ikonike, gara emocionuese dhe një komunitet të bashkuar nga eleganca dhe trashëgimia automobilistike. Por sa fitues u kualifikuan për eventin e madh që do të zhvillohet në tetor?

“5 fitues për kategorinë e automjeteve të prodhuara dhe 5 fitues të tjerë të kategorisë së automjeteve deri në vitin 1970 dhe 5 fitues të tjerë të kategorisë së automjeteve të prodhuar pas viteve 1970. Të 10 fituesit do të marrin pjesë në eventin e madh, i cili do të organizohet sërish nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor në fillim të tetorit të këtij viti, ku do të marrin pjesë jo vetëm shqiptarë apo nga vendet e rajonit, por gjithashtu edhe nga Italia apo vendet e Bashkimit Evropian”, theksoi Drejtori i DPSHTRR.

Gara u zhvillua në një cirkuit rrethor tërësisht të mbyllur, i pajisur me masa të dedikuara sigurie, kontroll teknik paraprak dhe prani të shërbimeve emergjente.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat