Shqipëria Postuar më 24 Qershor 2026, 15:19

Transporti urban përjashtohet nga detyrimi për POS - Ministria e Financave: Nuk janë të detyruar të pajisen me terminale pagese

Nga Ola Mitre

Transporti urban përjashtohet nga detyrimi për POS - Ministria e

Operatorët që ofrojnë shërbimin e transportit publik urban nuk do të jenë të detyruar të pajisen me terminale POS/POI për kryerjen e pagesave elektronike. Sqarimi vjen nga Ministria e Financave, pas një kërkese të paraqitur nga Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas lidhur me zbatimin e detyrimit për pajisjen me terminale pagese në autobusët urbanë.

Në përgjigjen zyrtare, Ministria e Financave argumenton se legjislacioni tatimor parashikon përjashtim nga detyrimi për pajisje me POS/POI për subjektet që përjashtohen nga detyrimi për lëshimin e faturës. Sipas ligjit “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, ndër aktivitetet e përjashtuara përfshihet edhe shitja e biletave apo kuponave nga drejtuesi i mjetit të transportit të pasagjerëve në linjat e transportit publik urban.

Ministria vlerëson se, duke qenë se operatorët e transportit urban lëshojnë dhe fiskalizojnë faturat për shërbimet e tyre nëpërmjet biletave apo aboneve që u jepen pasagjerëve, ata përjashtohen edhe nga detyrimi për të pasur terminale POS/POI në çdo pikë shitjeje. Ky interpretim vlen për operatorët e autobusëve që ushtrojnë aktivitet brenda qyteteve.

Debati mbi vendosjen e terminaleve POS/POI në transportin publik u intensifikua gjatë javëve të fundit, pas kundërshtimeve të Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas. Përfaqësuesit e sektorit argumentuan se instalimi i pajisjeve në çdo autobus paraqiste vështirësi teknike dhe do të sillte kosto shtesë, të cilat sipas tyre mund të reflektoheshin edhe te çmimi i biletës.

Detyrimi për pajisjen me terminale POS është pjesë e masave të ndërmarra nga administrata tatimore për të nxitur përdorimin e pagesave elektronike dhe për të reduktuar përdorimin e parasë fizike në ekonomi.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat