Limitarizmi ekonomik: Kur një miliard dollarë është shumë?!
Kur dikush mund të ofrojë mbi 40 miliardë dollarë për Twitter, urat pothuajse çmontohen për të lëvizur mega-jahtet dhe të pasurit vazhdojnë të pasurohen, një grup filozofësh thotë se diçka nuk është në rregull. Le t’i hedhim një vështrim limitarizmit ekonomik.
Shumë thonë se nuk mund të jesh kurrë shumë i pasur. Por rritja e pabarazisë ekonomike po bën që më shumë njerëz të mendojnë se kjo është e gabuar: disa njerëz janë me të vërtetë shumë të pasur.
Ekziston një listë e gjatë e ekonomistëve, filozofëve dhe liderëve që janë marrë me rishpërndarjen e pasurisë gjatë shekujve. Sisteme të tëra politike janë ndërtuar rreth idesë së barazisë dhe ndarjes.
Çfarë është limitarizmi?
Limitarizmi ekonomik është një koncept që eksploron idenë se askush nuk duhet të jetë tepër i pasur. Ai fokusohet në dëmet dhe rreziqet e të pasurit njerëz tepër të pasur. Kur diskutohet për pabarazinë, nuk shikon problemet e varfërisë apo rritjen e të varfërve; në vend të kësaj, fokusohet në të pasurit shumë.
Vendosja e një kufiri të sipërm se sa pasuri mund të grumbullojë një person i vetëm nuk është një dënim. Ideja është të inkurajohen ndryshime pozitive për sistemin ekonomik dhe popullatën në përgjithësi përmes përmirësimeve sociale. Përveç kësaj, në një moment “teprica e parave” nuk shton më mirëqenien apo një jetë të lulëzuar. Disa milionë dollarë duhet të mjaftojnë në shumicën e rasteve.
Limitarizmi nuk është socializëm apo komunizëm. Ai nuk refuzon akumulimin e pasurisë, pronësinë e pronës private, apo ndonjë nivel të pabarazisë sociale por thotë se të kesh shumë ndonjëherë është shumë.
Aktualisht, teoria nuk përcakton “shumë” në numra konkretë. Pra, nuk ka asnjë pikë të vetme ku ajo do të ndërhynte dhe do të thërriste pasuri të tepruar, si 10 milionë dollarë, 150 milionë apo edhe 2 miliardë dollarë.
Teoria është gjithashtu shumë më tepër sesa thjesht shikimi i pabarazisë së të ardhurave. Morali është në thelb të limitarizmit. Duke parë pabarazinë politike, limitarizmi shqetësohet se pabarazia mund të dëmtojë demokracinë. Të pasurit mund t’i përdorin paratë e tyre për të ndikuar tek politikanët, për të punësuar lobistë dhe për të vendosur axhendat e tyre në ligj. Nëse kjo nuk funksionon, ata gjithashtu mund të ndikojnë në opinionin publik duke zotëruar drejtpërdrejt organe mediatike ose duke financuar grupe kërkimore.
Disa kritikë mendojnë se limitarizmi ekonomik nuk shkon aq larg sa duhet; kompanitë duhet gjithashtu të bien nën udhëzimet e limitarizmit. Megjithatë, filozofë dhe ekonomistë të tjerë nuk pajtohen fuqimisht me idenë e kufizimit të pasurisë. Ata nuk shohin kufi moral për pasuritë e fituara ose të trashëguara. Në fakt, është shansi për t’u bërë i pasur ai që i shtyn sipërmarrësit të ndërmarrin rreziqe, të shpikin gjëra dhe të sjellin ndryshim.
Përveç kësaj, ata argumentojnë se kufizimi i pasurisë nuk do t’i japë fund pabarazisë politike. Matja e pasurisë ose e mirëqenies është thjesht e pamundur gjithsesi; një mënyrë më e mirë për të arritur më shumë barazi do të ishte një sistem tatimor progresiv.
Megjithatë, të pasurit po bëhen më të pasur. Lista e miliarderëve të vitit 2022 e publikuar nga Forbes numëronte 2668 prej tyre. Së bashku ata kishin një vlerë prej 12.7 trilion dollarë. Është pak më pak se një vit më parë, pasi krizat e shumta globale kanë pasur një ndikim. Megjithatë, ata “gjetën më shumë se 1000 miliarderë që janë më të pasur se një vit më parë”.
A mund të vihen realisht kufizime mbi pasurinë? Së pari, është pothuajse e pamundur të arrihet në një përkufizim universal të shumë të pasurve. Së dyti, edhe nëse do të kishte një shumë të përcaktuar, si do të shkonte dikush për të mbledhur paratë e tepërta? Por ne ende gjejmë ngushëllim në faktin se filozofët janë aty për të bërë pyetje dhe jo për të konfiskuar gjerdanët e diamantit apo avionët privatë.
Edel Strazimiri / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.